Shpërthen humori: Shqiptarët duan që stadiumet ta mbajnë emrin e Mahmut Feratit e Zyber Avdiut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që stadiumi i Shkupit “Filip II” ta marrë emrin e ikonës së muzikës maqedonase, “Tose Proeski”. Ky vendim nuk është pritur mirë nga shqiptarët.


Vendimin e qeverisë maqedonase e kanë kundërshtuar shqiptarët, të cilët besojnë se stadiumi nuk duhet ta marrë këtë emër pasi që ai nuk ka lidhje me futbollin, por me muzikën.

Në reagim ndaj këtij vendimi, kanë filluar kërkesat për një peticion që stadiumi i Tetovës të riemërohet “Mahmut Ferati” dhe “Zyber Avdiu”.

Riemërimi i stadiumit “Filip II” në “Tose Proeski” erdhi si pasojë e marrëveshjes së Maqedonisë së Veriut me Greqinë.

Greqia ka kërkuar që emri i Maqedonisë, si dhe të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me Aleksandrin e Madh dhe Filipin II, të ndryshojnë për shkak të lidhjes historike që helenët kanë me këta emra.

Tose Proeski ishte një këngëtar i famshëm maqedonas, i cili vdiq në moshën 27-vjeçare në vitin 2007.

“Vendosëm ta riemërojmë stadiumin për nder të Tose Proeskit, i cili la gjurmë të thella në historisë e Maqedonisë dhe të rajonit”, njoftoi qeveria maqedonase.