Basketbolli amerikan ka marrë një goditje të fortë dhe shkak janë bërë fiksimi i rezultateve të ndeshjeve. Chauncey Billups, trajneri i Portland Trail Blazers, si dhe Terry Rozier, ylli i Miami Heat, janë në mesin e mbi 30 personave të arrestuar nga autoritetet federale amerikane në hetime të ndara, por të ndërlidhura për baste të paligjshme.
Arrestimet u bënë nga Zyra e Prokurorit të SHBA-ve në Bruklin. Rozier dhe disa figura të tjera të NBA-së dyshohet se kanë ndarë informacione jopublike me partnerë kriminalë, të cilët më pas përdornin kompani të ndryshme për të vendosur baste të fshehta mbi rezultate dhe statistika të ndeshjeve, duke përfituar miliona dollarë në mënyrë të paligjshme gjatë periudhës 2022–2024.
Ndërkohë, Billups u akuzua në një aktakuzë të veçantë për ndihmë në manipulimin e lojërave të fatit, me qëllim mashtrimin e lojtarëve të panjohur që ftoheshin në lojëra me premtimin se do të përballeshin me persona të famshëm.
Autoritetet theksuan se kjo skemë kishte lidhje edhe me familje të krimit të organizuar në Nju Jork. Një tjetër emër i përfshirë në hetim është Damon Jones, ish-lojtar dhe ndihmëstrajner i Cleveland Cavaliers, i cili akuzohet në të dyja çështjet.
Ky skandal vjen në një kohë kur rastet e ndëshkimeve për bastet sportive në ligat kryesore amerikane janë shtuar ndjeshëm. Në vitin 2024, ish-lojtari Jontay Porter pranoi se ka manipuluar me qëllim fitimin e basteve.