Drejtësia zvicerane është në hetimin e një rasti abuzimi seksual, që përfshin rrethin e ngushtë të kampionit shtatë herë të Formula 1, Michael Schumacher.
Sipas aktakuzës, i pandehuri është një pilot australian garash, mik i Mick Schumacher, i cili dyshohet se përdhunoi infermieren e babait të tij, brenda rezidencës familjare në Gland, në kantonin e Vaud, në fund të vitit 2019.
Sipas gazetës zvicerane “24heures.ch”, familja Schumacher, siç thuhet shprehimisht në aktakuzë, nuk ka asnjë përfshirje në këtë rast, përveç faktit se incidenti dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e tyre. Asnjë anëtar i familjes nuk ishte i pranishëm kur u krye akti, dhe as nuk u thirrën për të dëshmuar.
Prokurori Xavier Christ, i cili po merret me çështjen, nuk ka kërkuar pjesëmarrjen e familjes në procedurat gjyqësore.
Viktima e dyshuar, atëherë në të tridhjetat, punonte në ekipin e përhershëm mjekësor që kujdesej për Schumacher, pasi ai pësoi një dëmtim të rëndë në kokë në një aksident me ski në Meribel, në vitin 2013. I pandehuri, gjithashtu në fund të të tridhjetave, ishte një pilot profesionist garash me ambicie për Formula 1 që nuk i arriti kurrë.
Në atë kohë, ai ishte një mik i ngushtë i Mick Schumacherit, duke garuar në të njëjtat gara dhe shpesh fotografoheshin së bashku në evente shoqërore. Ai kishte qasje të lirë në pronën familjare dhe jetonte atje herë pas here.
Në vitin 2024, ajo kishte udhëtuar nga Australia për të dëshmuar para prokurorit, duke deklaruar se kishte pasur një “marrëdhënie konsensuale”.
Nëse ajo nuk paraqitet në gjykatë, seanca dëgjimore mund të shtyhet, pasi gjykimet në mungesë në raste të tilla janë jashtëzakonisht të rralla në Zvicër.
Avokatët e të dyja palëve, Patrick Michaud për infermieren dhe Luc Vanay për të pandehurin, refuzuan të komentonin mbi çështjen. Zyra e komunikimit e familjes Schumacher gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesave për koment.