Juventusi po fiton alternativa në repartin ofensiv, ndërsa trajneri Luciano Spalletti tashmë ka më shumë mundësi për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjeve. Rikthimi i Francisco Conceiçãos dhe mundësia për të aktivizuar sulmuesin Ekhator i japin trajnerit italian më shumë zgjidhje, por një nga armët më të rëndësishme në krahë vazhdon të jetë Edon Zhegrova.
Sipas mediumit italian “SportMediaset”, Spalletti po mendon të shfrytëzojë më shumë lojtarët që mund të krijojnë epërsi në duelet një kundër një, një element që rezultoi vendimtar në përballjen ndaj Napolit.
Në atë ndeshje, trajneri i Juventusit kërkoi më shumë depërtim në krahë përmes Alajbegoviqit dhe Zhegrovës, të cilët ndikuan në lojën ofensive të bardhezinjve në fitoren 2:0.
Tashmë, me rikthimin e Conceiçãos, Spalletti mund të alternojë disa futbollistë në pozitat anësore, përfshirë Zhegrovën, Conceiçãon dhe Bogën. Në këtë mënyrë, trajneri ka mundësi të ndryshojë skemat dhe të freskojë repartin ofensiv edhe gjatë ndeshjes.
Zhegrova shihet si një lojtar që mund t’i japë Juventusit kreativitet, driblime dhe paparashikueshmëri në krahun e djathtë, sidomos në situatat kur kundërshtari mbrohet me shumë lojtarë.
Për Zhegrovën, kjo situatë mund të jetë një mundësi e mirë për të fituar më shumë hapësirë dhe për të dëshmuar se mund të jetë një prej lojtarëve vendimtarë të Juventusit në vazhdim të sezonit.