UEFA ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) me gjithsej 42 mijë e 250 euro gjobë për shkeljet e evidentuara në ndeshjen ndaj Izraelit, të zhvilluar në kuadër të Ligës së Kombeve. Krahas gjobës, FFK-së i është shqiptuar edhe dënimi me kusht për mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri” në ndeshjen e ardhshme si vendase.
Procedurat disiplinore ndaj FFK-së ishin hapur për disa shkelje, përfshirë hedhjen e gjësendeve në fushë, transmetimin e mesazheve të papërshtatshme për ngjarje sportive, pengimin e intonimit të himnit dhe sjelljet raciste ose diskriminuese.
Gjobën më të lartë, prej 20 mijë eurosh, FFK-ja e ka marrë për transmetimin e një mesazhi që UEFA e ka cilësuar si të papërshtatshëm për ngjarjet sportive. Megjithatë, në vendim nuk është specifikuar se për cilin mesazh bëhet fjalë.
Për sjellje raciste ose diskriminuese, UEFA e ka gjobitur FFK-në me 10 mijë euro. Për këtë shkelje, organizata evropiane ka shqiptuar edhe dënimin me mbylljen e një sektori të stadiumit “Fadil Vokrri” për një ndeshje, por zbatimi i tij është pezulluar me kusht.
Ndërkaq, për fishkëllimat gjatë intonimit të himnit të Izraelit, FFK-ja është gjobitur me 10 mijë euro të tjera, ndërsa për hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës duhet të paguajë edhe 2 mijë e 250 euro.
Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, e zhvilluar javën e kaluar, përfundoi me rezultat 0:0. Gjatë intonimit të himnit izraelit, tifozët kosovarë fishkëllyen, ndërsa disa lojtarë të Kosovës mbajtën kokën ulur në shenjë proteste ndaj Izraelit.
Ky është dënimi i dytë që UEFA i shqipton Kosovës për shkeljet e bëra në edicionin e pestë të Ligës së Kombeve.
Vendimet disiplinore janë publikuar të enjten nga Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s. Krahas FFK-së, për shkelje të ndryshme janë dënuar edhe federatat e Bosnjë-Hercegovinës, Rumanisë dhe Anglisë.