Rreth 1,000 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në rajonin e Italisë veriore, Emilia-Romagna, gjatë natës pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve shkatërruese të tokës, ndërkohë që qeveria e ekstremit të djathtë e Giorgia Melonit është akuzuar për mungesë vullneti për t’u përballur me krizën klimatike, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Online, Reporteri.net.
Përmbytjet u shkaktuan nga stuhia Boris, e cila më herët kishte shkaktuar kaos në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 24 personave. Disa qytete të mëdha në Evropën Qendrore po përgatiteshin për rritjen e nivelit të lumenjve që pritet të arrijnë kulmin të enjten.
Shirat e rrëmbyeshëm përfshin të njëjtat zona të Emilia-Romagna që u goditën rëndë nga përmbytjet në maj të 2023-ës, që shkaktuan vdekjen e 17 personave dhe shkaktuan dëme prej 8.5 miliardë euro. Shkollat janë mbyllur, linjat hekurudhore janë ndërprerë dhe disa rrugë janë bllokuar nga rrëshqitjet e tokës.
Zjarrfikësit kanë kryer më shumë se 500 operacione shpëtimi në rajon, përfshirë përdorimin e helikopterëve për të ngritur njerëzit nga shtëpitë e përmbytura.
“Ne jemi në një situatë emergjente të plotë, ngjarja është shumë e ngjashme me atë që përjetuam në maj,” tha Michele De Pascale, kryetari i Ravenës, për Radio 24.
Nuk ka raportime për viktima në përmbytjet e fundit, të cilat kanë prekur gjithashtu pjesë të rajonit fqinj të Marche-s. Megjithatë, zemërimi mes banorëve po rritet për procesin e ngadaltë të punimeve të destinuara për të mbrojtur rajonin nga përmbytjet.
Punonjësit e emergjencës po përpiqen të nxjerrin ujin nga rrugët e përmbytura në Faenza.
“Shtëpia ime është shkatërruar përsëri,” u shprehë një banor në Faenza, një qytet në provincën e Ravenës, në një video të mbledhur nga Local Team, një agjenci italiane fotosh dhe videosh. “Është e turpshme, politikanët nuk bëjnë asgjë.”
Shirat ekstreme po bëhen më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuar nga njerëzit në shumicën e botës. Ajri më i ngrohtë mund të mbajë më shumë avull uji, ndërsa faktorët njerëzor, si planifikimi i mbrojtjes nga përmbytjet dhe përdorimi i tokës, janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm tek përmbytjet.
Italia është ndër pikat më të rrezikuara klimatike në Evropë. Vetëm këtë verë ka përjetuar valë të nxehti të paparë, thatësira, zjarre pyjore, stuhi dhe përmbytje të rënda.
Angelo Bonelli, që drejton partin e majtë Alleanza Verdi e Sinistra, të enjten i kërkoi Melonit të shpjegojë strategjinë e qeverisë së saj në trajtimin e krizës klimatike.
“Nuk ka vullnet për t’u përballur me krizën klimatike,” tha ai. “E vërteta është se kriza klimatike shkakton dëme, dhe dëme ekonomike. Çështja klimatike nuk duhet të ketë një karakterizim politik. Fatkeqësisht, është një fakt objektiv që duhet të përballemi me të. Kryeministrja, Meloni, duhet t’i tregojë parlamentit se cilat iniciativa synon të ndërmarrë.”
Ndërkohë, Alice Buonguerrieri, një deputete e partisë së krahut të majtë, Alleanza Verdi e Sinistra, tha se do të paraqiste një ankesë tek prokurorët “për të përcaktuar përgjegjësinë” për përmbytjet e fundit. Ajo pretendoi se autoritetet qendrore të majta të rajonit kishin shpenzuar vetëm 49 milionë euro nga 130 milionë eurot e alokuara nga qeveria vitin e kaluar për të ndërtuar mbrojtjet nga përmbytjet.
Në Evropën Lindore dhe Qendrore, përmbytjet ishin më të këqijat në dy dekadat e fundit. Të paktën 24 persona kanë humbur jetën – 5 në Republikën Çeke, 7 në Rumani, shtatë në Poloni dhe 5 në Austri. Dëmet vlerësohen në miliarda euro, me rrugë, ura dhe linja hekurudhore të shkatërruara dhe të tëra lagjet të përmbytura.
Në qytetin e tretë më të madh të Polonisë, Wroclaw, mbrojtjet duket se po qëndrojnë të forta pas dy ditësh përpjekjesh të ethshme për t’i forcuar ato nga ushtria, forcat e mbrojtjes civile dhe vullnetarët mes 600,000 banorëve të qytetit. Polonia ka vendosur 14,000 trupa në rajonin më të goditur, pranë kufirit me Republikën Çeke.
“Është shumë herët për të thënë se përmbytja në Wroclaw është tejkaluar,” tha kryeministri polak, Donald Tusk, në një mbledhje për situata krizash. “Unë preferoj që të qëndrojmë të shqetësuar dhe të përpiqemi të parashikojmë gjendjen e lumenjve sa më saktë të jetë e mundur.”
Më vonë, Tusk pritej të takohej me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministrat e Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Austrisë për të diskutuar ndihmën për rajonin, i cili është goditur nga pesë herë më shumë reshje se mesatarja për shtatorin, brenda pesë ditësh.
Në Hungari, e cila ka forcuar mbrojtjet përgjatë më shumë se 500 km të bregut të lumit, Danubi pritej të arrinte kulmin në kryeqytetin Budapest të shtunën. Kryeministri Viktor Orbán tha se niveli i ujit duhet të jetë më i ulët se ai rekord i vitit 2013 dhe se Hungaria do të “organizohet për një mbrojtje të suksesshme edhe ndaj kësaj përmbytjeje.”