×
  • Lajme
  • Fact Check

    Importi nga Serbia, çka s’përmendi ministri Murati në Kuvend?

    Autor:Linda Ibrahimaj
    18 Nëntor 2024 | 16:36

    Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 11 nëntor, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deklaroi se pretendimet e opozitës për rritjen e importeve nga Serbia janë të pavërteta.

    Ministri i Qeverisë Kurti, theksoi se në qeverisjet e kaluara, Serbia ishte një nga pesë vendet kryesore nga të cilat Kosova importonte, ndërsa vitin e kaluar Serbia nuk bënte pjesë as në pesë vendet e para importuese. Qëndrimin e Murati, Lëvizja Vetëvendosje e shpërndanë edhe në profilin zyrtar, si sekuencë nga fjalimi në Kuvend. 

    Është e pavërtetë që importi po rritet. Në kohën sa ka qenë PDK-ja bashkë me LDK-në top 5 shtetet nga ku ka importuar Kosova janë. Vendi i parë ka qenë Serbia me 450 milion, i dyti Gjermania me 378 milion, i treti Turqia me 292 milion, Kina me 275 milion e Italia me 194 milion. Kjo është lista e top 5 vendeve kur ju keni qeverisur.  Top 1 ishte Turqia, e dyta Gjermania, në të tretin Kina, e katërta Greqia e pesta Shqipëria. As në Top 5 nuk e kemi Serbinë nga vendi i parë, as në top 5-she nuk është”, ka thënë Murati.

    Çka nuk shkon?

    Të dhënat zyrtare për tregtinë e jashtme të Kosovës, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ofrojnë një pamje më të plotë.

    Raportet nga viti 2015 deri në vitin 2023 tregojnë se Serbia ishte një ndër pesë importuesit kryesorë të Kosovës gjatë periudhës 2015-2018. Megjithatë, situata ndryshoi në vitin 2019, kur qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi një taksë 100% për produktet serbe, duke e ulur importin nga Serbia në vetëm 0.2%.

    Në vitin 2020, gjatë mandatit të shkurtër të kryeministrit Albin Kurti, më 1 prill, ishte pikërisht Kurti si kryeministër në detyrë që hoqi taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Në vend të saj, për mallrat serbe u vendos masa e reciprocitetit. Megjithatë, pavarësisht këtij ndryshimi, Serbia nuk arriti të rikthehej në mesin e pesë vendeve kryesore importuese të Kosovës për atë vit.

    Por, ishte në vitin 2021, pikërisht kur Lëvizja Vetëvendosje nisi qeverinë Kurti II, që Serbia u kthye në mesin e pesë importuesve kryesorë të Kosovës dhe mbeti në këtë pozicion edhe gjatë vitit 2022. 

    Verën e vitit 2023, qeveria e Kosovës ndaloi importet nga Serbia, duke e përjashtuar atë nga lista e vendeve importuese kryesore në vitin 2023 dhe 2024, për shkak të masave ndaluese të aplikuara.

    Në tetor 2024, qeveria Kurti hoqi masat ndaluese ndaj produkteve serbe, duke i hapur sërish rrugën importit nga Serbia.

    Analiza

    Përmbledhtazi, ndonëse ministri Murati thekson se Serbia nuk është më në mesin e pesë vendeve kryesore importuese, ai nuk përmend faktin që gjatë viteve 2021 dhe 2022 – nën qeverisjen e Vetëvendosjes – Serbia ishte ndër importuesit kryesorë.

    Për më tepër, vetëm masat ndaluese të vendosura në korrik 2023 e eliminuan Serbinë nga lista e vendeve kryesore importuese.

    Një situatë e ngjashme ndodhi edhe pas vendosjes së taksës 100% nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kur Serbia u eliminua nga top 5 importuesit për dy vite, por më pas u rikthye shpejt në mesin e pesë vendeve kryesore.

    (Raporti i ASK, faqe 25)

    Importi nga Serbia:

    2015 — 14.5%
    2016 — 13.9%
    2017 — 14.8%
    2018 — 11.6%
    2019 — 0.2%
    2020 — 5,3%
    2021 — 6,5%
    2022 — 6,6
    2023 — 3.4
    2024 —

    Importet në Kosovë, ndërvite:

    2015

    Serbia — 14.5
    Gjermania — 11.0%
    Turqia — 9.6%
    Kina — 8.8%
    Italia — 8.6%

    2016

    Serbia — 13.9%
    Gjermania — 12.3%
    Turqia — 10.3%
    Kina — 9.3%
    Italia — 7.3%

    2017

    Serbia — 14.8%
    Gjermania — 12.4%
    Turqia — 9.6%
    Kina — 9.0%
    Italia — 6.4%

    2018

    Gjermania — 11.8%
    Serbia — 11.6%
    Turqia — 10.1%
    Kina — 9.3%
    Shqipëria — 6.2%

    2019

    Gjermania — 12.8%
    Turqia — 12.3%
    Kina — 9.7%
    Maqedonia e Veriut — 6.9%
    Shqipëria — 6.4%

    2020

    Gjermania — 13%
    Turqia — 12.4%
    Kina — 9.8%
    Shqipëria — 5.8%
    Maqedonia e Veriut — 5.7%

    2021

    Gjermania — 13.1%
    Turqia — 12.5%
    Kina — 9.7%
    Serbia — 6.5%
    Italia  — 5.9%

    2022

    Turqia — 14.9%
    Gjermania — 10.8%
    Kina — 9.7%
    Serbia — 6.6%
    Greqia  — 5.5%

    2023

    Turqia — 14.8%
    Gjermania — 12.8%
    Kina — 11%
    Greqia — 5.6%
    Shqipëria — 5.5%

    *Verifikimi i fakteve” mundësohet përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë për gazetën online Reporteri.net, për projektin “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet jo-shumicë në Kosovë II”. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!