×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Pas dënimit me burg, Salianji humb edhe mandatin e deputetit – Kush e pason në Kuvend?

    Reporteri
    26 Shtator 2024 | 23:02

    Ervin Salianji ka humbur edhe mandatin e deputetit pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e dënoi këtë të enjte me 1 vit burg për kallëzim të rremë.

    Avokati i tij, Redi Ramaj, tha për mediat pas vendimit se do të presin zbardhjen e vendimit për të parë rrugët ligjore që do të ndjekin, por neni 71.1 i Kushtetutës përcakton se deputeti e humb mandatin e tij kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

    “Çështja është a është i formës së prerë? Sepse mund të jetë vetëm i ekzekutueshëm. Mund të shkohet edhe në Gjykatën e Lartë, që mund të vendosë edhe pezullim ose duhet të vendosë në terësi, në themel të çështjes dhe mund të kemi ndryshime. Duhet pritur rruga ligjore që do marrë zbardhja e vendimit, do marrë ekzekutimi nga prokuroria dhe më pas rruga parlamentare”, – tha Ramaj.

    Nëse Salianjit i ndërpritet mandati në çfarëdo lloj forme, automatikisht ose jo, emri që e pason në Kuvend, është demokrati Andrea Mano. Ky i fundit ka mbajtur detyrën e drejtuesit të PD në qytetin e Korçës.

    Mano, i cili ka drejtuar më parë edhe degën lokale të PD në Korçë dhe ka kandiduar për postin e kryetarit të bashkisë në vitin 2011, pritet të jetë përfaqësuesi më i ri i demokratëve në Parlament.

    Ai po ashtu njihet për një përplasje me Salianjin sa i përket listave të kandidatëve të PD në vitin 2021, ku Mano u rendit shumë poshtë në qarkun e Korçës duke mos pasur mundësinë të zgjidhet deputet./GazetaSi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!