Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha të premten se Koreja e Jugut dërgoi dronë mbi kryeqytetin e saj, Phenian, duke e cilësuar atë si “provokim ushtarak dhe politik”.
Megjithatë, ushtria e Koresë së Jugut e ka mohuar menjëherë këtë.
Dronët fluturuan natën dhe u futën në Phenian dhe shpërndanë “shumë” fletushka kundër Koresë së Veriut në kryeqytet javën e kaluar dhe këtë javë, tha Ministria e Jashtme verikoreane në një komunikatë të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Ajo tha se nevojitet veprim hakmarrës ndaj këtij inkursion me dronë dhe i bëri thirrje Jugut t’i ndalë veprimet e tilla.
“Ky provokim i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm, i cili mund të çojë drejt konfliktit të armatosur dhe madje luftës mes dy palëve, duhet të ndalet menjëherë”, tha Ministria.
Por, ushtria e Koresë së Jugut tha se nuk ka dërguar dronë në Korenë e Veriut, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Disa aktivistë në Korenë e Jugut lëshojnë drejt Veriut balona të mbushura me ndihma dhe fletushka kritikuese ndaj liderit Kim Jong Un.
Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut janë ende në luftë teknikisht, pasi lufta e viteve 1950/1953 mes tyre përfundoi në armëpushim, jo me marrëveshje paqeje./REL/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.