Policia e Kosovës ka njoftuar edhe për një provokim të ri të në kufirin e Kosovës nga ana e Serbisë.
Policia ka thënë se një sot rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohet të jetë e xhandarmërisë serbe, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, ata janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare ‘që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror’.
Policia e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi.
“Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj ligjore në funksion të ruajtjes së qetësisë, stabilitetit dhe menaxhimin profesional të kufijve shtetëror në bazë të mandatit të saj Kushtetues dhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim të integruar kufitar, përderisa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe do të reagoj me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor, kundër kushtetues apo që cenon marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim.”, thuhet në reagimin e Policisë.
Në fundjavë, kryeministri Albin Kurti njoftoi për një provokim tjetër nga Serbia. Kurti tha se Serbia ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës./Reporteri.net/