×
  • Lajme
  • Lajme / Normalizimi i marrëdhënieve

    Dialogu me Serbinë, Kurti: Po e presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re

    Reporteri
    15 Tetor 2024 | 13:59

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se Kosova pret që Komisioni i ri Evropian të nisë me një dinamikë të re sa i përket dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kurti tha se në takimet që ka pasur  në kuadër të Samitit të Berlinit, ka kërkuar që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat.

    Kurti ka thënë se sa i përket dialogut, kërkesat e Kosovës mbeten të njëjta duke nisur nga dorëzimi i kryeterroristit Radoiçiq, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta, t’i ipet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë të na dërgohet pyetësori me ato mijëra pyetje, të cilin me shumë përkushtim, përgjegjësi, durim e disiplinë do ta përmbushim për shkak se as nuk kemi dhe as nuk duam të kemi alternativë ndaj Bashkimit Evropian.

    Ky samit është paraprirë nga gjashtë ministeriale, andaj në këto ditë kanë qenë shumë ministra të Kosovës në Berlin dhe gjithçka në fund u përmbyll me sukses.

    Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Insistojmë që të dorëzohet kryekrimineli Radoiçiq që na e vrau heroi Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij paramilitar të cilët tashmë ndodhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit në Kosovës. Kërkojmë të tërhiqet letra e ish-kryeministres Bërnabiq dhe Marrëveshja Bazike dhe aneksi i 18 Marsit të nënshkruhen, si garanci ligjore dhe dëshmi e palëkundur e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit në mes palëve. Dialogu ka pasur sukses dhe suksesi është Marrëveshja Bazike dhe aneksi i Zbatimit”, tha Kurti.

    Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga shtatori i vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

    Në fund të qershorit, Kurti paraqiti disa kushte për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë politik. Një prej tyre ishte që Serbia të tërhiqte një letër që i dërgoi Brukselit vitin e kaluar, përmes së cilës shprehu rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!