Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme për procesin e përllogaritjes dhe shlyerjen e borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe “përgjimet në sektorin e energjisë elektrike”.
Kjo seancë nuk është duke u transmetuar në kanalin e parë parë të transmetuesit publik, RTK1, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se RTK1 në vend se të transmetojë seancën e Kuvendit është duke transmetuar një konferencë të kryeministrit Kurti për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Ai thotë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.
Tahiri e sheh këtë si tendencë për ta mbytur zërin opozitar.
“Në këtë moment për kureshtje vendosa me e pa se a është duke e transmetuar Radio Televizioni i Kosovës këtë seancë të Kuvendit, dhe e pashë që në këtë moment paska vendos me transmetu një konferencë të kryeministrit Kurti për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ndërsa Kuvendin e Kosovës, të institucionit që e ka themelu paska vendos me qitë në RTK3. Kjo nuk ka ndodhë asnjëherë. Këto kapelat e Dejona Mihalit, Lëvizjes Vetëvendosje që janë në RTK janë tu e ba këtë krim. Ky është krim dhe tendencë me mbyt zërin opozitar dhe ata që i denoncojnë krimet. RTK është institucion i themeluar nga ky Kuvend dhe nuk ka ndodhë asnjëherë që në RTK në të njëjtën kohë, apo në programin qendror të ketë diçka tjetër kur ka seancë në Kuvend. Angazhimi me mbyt zanin opozitar, e kritikën në secilin variant. Sot jemi në tresh, nëse vazhdojnë edhe pak kështu as aty nuk kemi me qenë. Me ju folë këtyre kapelave në Kuvend është si me ju folë deputetëve të VV-së. Për besë është e njëjta, kanë vendosë me qenë kapela, masha e Dejonës e instrumenta. Këta nuk i vetë kërkush. Këtyne ju kallxojnë kur duhet me ardhë në seancë, kur duhet me votu, këta nuk dinë këta janë të shkretë. Ju bimë në qafë. Përmes këtyre kapelave të zeza këta kanë vendosë me i mbulu shumë krime, por vetëm përkohësisht sepse nuk mujnë përjetësisht”, tha Tahiri në seancën e Kuvendit.
Në seancën e sotme po marrin pjesë veç deputetët e opozitës, pasi deputetët e LVV-së dhe kabineti qeveritar i Kurtit e kanë bojkotuar.
Transmetuesi publik kishte vepruar ngjashëm edhe gjatë së hënës.
Kanali i parë i transmetuesit publik, RTK1 të hënën ka ndërprerë transmetimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohej çështja e furnizimit me ushqim të Ushtrisë së Kosovës.
Sinjali i seancës së Kuvendit kaloi në RTK3, derisa RTK1 ka filluar të shfaqë konferencën e përbashkët të kancelarit gjerman Olaf Schoz dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Derisa kancelari gjerman po fliste në konferencë, në gjuhen gjermane, RTK1 po e transmetonte atë pa përkthim në gjuhen shqipe
Përkthimi u aktivizua tek disa minuta pas, në gjysmën e fjalës së Von der Leyen, e cila në konferencë u paraqit duke folur në gjuhen angleze. /Reporteri.net/.