×
  • Lajme
  • Lajme / Ora 14:30

    S’e transmetuan seancën e Kuvendit, opozita thërret konferencë për media para RTK-së

    Reporteri
    16 Tetor 2024 | 14:20

    Radio Televizioni i Kosovës gjatë kohës kur në Kuvend kishte filluar seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, për diskutimin rreth faljes së borxheve ndaj kompanive të ambalazhuesve të ujit dhe bisedave të Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, nuk e transmetoi atë për rreth një orë, duke shfaqur kështu një konferencë të Kryeministrit Albin Kurti për të mbijetuarit e dhunës seksuale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në Kuvend, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se një gjë e tillë s’ka ndodhur asnjëherë dhe se kjo është tendencë për të mbytur zërin opozitar dhe ata që i denoncojnë krimet.

    Për këtë arsye, përmes një njoftimi të bërë në Facebook, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se shefat e grupeve parlamentare do të mbajnë konferencë për media para zyrave të RTK-së në ora 14:30.

    “Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që RTK-ja të transmetojë një seancë të Kuvendit në kanalet alternative. Kjo ndodhi pikërisht sot, kur prisnim të adresonim aferat korruptive të këtij pushteti, duke dëshmuar kapjen e këtij mediumi nacional nga ‘kapelat e Dejones’. Përballë këtij akti, ne, shefat e Grupeve Parlamentare të opozitës, do t’u drejtohemi qytetarëve në një konferencë për media në orën 14:30, përballë zyrave të RTK-së”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

    Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në seancën e së hënës të iniciuar nga AAK-ja për problemet e furniqimit me ushqim në FSK, ku RTK1 ndërpreu transmetimin, dhe shfaqte një konferencë të kancelarit gjerman Olaf Schoz dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.

    Lëvizja Vetëvendosje, ashtu si në seancën e fundit të 14 shtatorit, edhe kësaj radhe nuk po merrë pjesë në këtë seancë të opozitës.

    /Reporteri.net/

    VV-ja i thotë JO pjesëmarrjes në seancën e sotme të opozitës për ushqimin në FSK

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!