×
  • Lajme
  • Botë

    Rusia kryen sulm të madh me dronë në Kiev dhe Mikolaiv

    Reporteri
    17 Tetor 2024 | 9:55

    Rusia e ka sulmuar Ukrainën me 56 dronë dhe një raketë lundruese mëngjesin e së enjtes, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës.

    Kryetari i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, tha se kryeqyteti u sulmua nga dronët ruse, ndërsa Vitaliy Kim, guvernatori i Mikolaiv, tha se në shënjestër të sulmeve ruse ishte infrastruktura energjetike e rajonit jugor.

    Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 22 dronë rusë mbi rajonet Sumi, Kiev, Poltava, Çernihiv, Zitomir, Mikolaiv, Çerkasi, Odesa dhe Ternopil, ndërsa 27 dronë u rrëzuan nga bllokimi elektronik, thuhet në njoftim.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, tha se kundërajrorët e saj i rrëzuan 13 dronë ukrainas mbi tri prej rajoneve të saj të enjten.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!