×
  • Lajme
  • Lajme / Njofton Prokuroria e Mitrovicës

    ​Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve në Vushtrri, keqpërdorën detyrën zyrtare

    Reporteri
    18 Tetor 2024 | 10:59

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, ndaj njërit për ‘’keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar’’, kurse ndaj tjetrit për ‘’legalizim të përmbajtjes së rreme’’.

    Përmes një komunikate për media në faqen e tyre zyrtare, thuhet se i pandehuri me inicialet H.R, gjatë viteve 2016-2017, në katër raste, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personave tjerë, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, raporton gazeta online Reporteri.net.

    ‘’I pandehur H.R., akuzohet se në katër (4) raste në vitet 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar i gjendjes civile në komunën e Vushtrrisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personave tjerë, si dhe shkeljes së drejtave të personave tjerë, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për gjendjen civile nr.04/L-003, Ligjit për shtetësinë e Kosovës dhe udhëzimet administrative ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile katër (4) persona, me të dhëna fiktive, pa qenë të regjistruar në librat amëz të lindjes, dhe kështu i ka pajisur kundërligjshëm me numër personal dhe dokumentacion’’, thuhet në komunikatë.

    Ndërkaq, i akuzuari i dytë, thuhet se në qershor të vitit 2017, ka vërtetuar një çështje të pavërtetë, ku me dokument të falsifikuar ka arritur të regjistrohet dhe të marrë numrin personal dhe të pajiset me dokumentacion.

    ‘’I pandehuri L.V., akuzohet se me datë 19 qershor 2017, në zyrën e regjistrimit civil, i njëjti ka vënë në lajthim organin kompetent – zyrën e regjistrimit civil në komunën e Vushtrrisë dhe ka vërtetuar një çështje të pa vërtetë në atë mënyrë që pa qenë i regjistruar në librat amëz të lindjes në gjendjen civile, me dokument të falsifikuar ka arritur të regjistrohet dhe të marrë numrin personal dhe të pajiset me dokumentacion’’, thuhet tutje në komunikatë.

    Në përfundim, u bë e ditur se Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të dy të shpallen fajtor për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas ligjit.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!