Ministria e Mbrojtës, në një reagim ka thënë se janë të pavërteta pretendimet se ka humbur ndonjë dron. Ministria që udhëhiqet nga ministri Ejup Maqedonci, ka përgënjeshtruar një deklaratë publike të Daut Haradinajt, zyrtarë i lartë i AAK-së, i cili tha mbrëmë se “ka humbur një dronë”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtës, kjo deklaratë është e pavërtetë.
Në reagimin e tyre, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se flota e dronëve është duke u shtuar vazhdimisht, pas blerjes së parë, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Teksa lajmet e pavërteta përhapen nëpër studio televizive pa kuptuar peshën e fjalës në sigurinë e vendit, informojmë qytetarët se të pavërteta janë dhe pretendimet se ka humbur ndonjëherë ndonjë dron. Përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju sigurojmë që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Tutje potencohet se ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit, ligjërisht kufizon nivelin e informacionit që mund të ndajmë me publikun pa dhënë shumë detaje.
“Ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit, ligjërisht kufizon nivelin e informacionit që mund të ndajmë me publikun pa dhënë shumë detaje. Megjithatë janë evidente aktivitetet e shumta të FSK-së ku janë përdorur e përdoren pajisjet dhe sistemet më moderne të armatimit me të cilat FSK është furnizuar dhe po furnizohet vazhdimisht. Të tjera po vijnë, dhe të gjitha sipas standardeve të NATO-s”, thuhet në reagim.
Pretendimit të Haradinajt, iu përgjigj mbrëmë edhe ministri Maçedonci.
“Jo që nuk ka humbur ndonjëherë ndonjë dron por përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar edhe pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju siguroj që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake. Pozita ime dhe ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit nuk më lejon që të jap detaje por janë shumë aktivitete të vet FSK-së ku janë shumë evidente pajisjet dhe sistemet me të cilat po furnizohemi pa ndërprerë. Të tjera po vijnë”, tha Maqedonci të enjten.
Në korrik të vitit të kaluar, u bë e ditur se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Lajmin e kishte bërë të ditur kryeministri Kurti duke publikar edhe disa fotografi të këtyre dronëve.
Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014.
Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus. /Reporteri.net/