Moldavët kanë filluar të votojnë mëngjesin e së dielës për ta rizgjedhur apo rrëzuar presidenten proevropiane dhe mbase për t’i mishëruar synimet e tyre evropiane në Kushtetutë. Derisa ata po inkurajohen nga Perëndimi, dyshimet janë të mëdha se Moska po përzihet në votimet e tyre.
Moldavia dhe vende të huaja kanë paralajmëruar për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë përmes dezinformimit, blerjes së votave dhe dërgimit të parave për të nxitur trazira, pasi Kishinjevi dhe bashkësia ndërkombëtare kanë treguar sa shumë i kushtojnë rëndësi zgjedhjeve të lira, drejta dhe paqësore.
Presidentja e tanishme, Maia Sandu, përballet me 10 kundërshtarë të kryesuar nga socialisti prorus, Alexandr Stoianoglo, dhe ish-kryetari populist, Renato Usatii, në zgjedhjet e treta të drejtpërdrejta presidenciale të republikës së varfër ish-sovjetike, në një kohë kur vendi po përballet me polarizim të brendshëm dhe me luftën në lindje, në Ukrainë.
Referendumi, i thirrur nga Sandu, i pyet 3.3 milionë moldavë brenda dhe jashtë vendit nëse e “mbështesin ndryshimin e Kushtetutës për anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian”.
Rezultatet e këtyre votimeve mund të ofrojnë mësime të vlefshme për aleatët e Sandut dhe opozitën para zgjedhjeve parlamentare të verës së ardhshme, të cilat do të jenë një referendum për katër vjetët e qeverisjes nga Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), që ajo e themeloi tetë vjet më parë.
Megjithëse në Moldavi presidenti ka pushtet të kufizuar ekzekutiv, Sandu e ka përdorur me sukses mesazhin e saj properëndimor dhe ndikimin e saj me partinë PAS për të sjellë disa reforma të kufizuara dhe për të siguruar kandidaturën formale të vendit për anëtarësim në BE, pavarësisht ndarjeve të thella brenda ish-republikës sovjetike.
Një nga veprimet e saj më ambicioze ka qenë eliminimi i varësisë së Moldavisë nga gazi natyror rus pas pushtimit të plotë të Ukrainës, por kjo ka shkaktuar inflacion dhe vështirësi të tjera ekonomike për shumë nga 2.4 milionë banorët e Moldavisë.
Sondazhet e fundit e tregojnë se Sandu gëzon 30-35% mbështetje, shumë më shumë se ish-prokurori i Përgjithshëm Stoianoglo, të cilin ajo e shkarkoi vitin e kaluar, që gëzon vetëm 9% mbështetje, dhe ish-kryebashkiakut Usatit, i cili promovon një qasje më të ekuilibruar midis Lindjes dhe Perëndimit në politikën e jashtme, i cili ka 6% përkrahje.
Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave, atëherë do të mbahet një balotazh më 3 nëntor mes dy kandidatëve që kanë siguruar më së shumti vota.
Përveç paralajmërimeve të forta nga zyrtarët vendës, përfshirë ministrin e jashtëm të Moldavisë, edhe zyrtarët amerikanë dhe ata perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje, duke përmendur në korrik “veprime shumë të qarta nga rusët për t’i sabotuar zgjedhjet dhe referendumin e ardhshëm”.
Rusia – e cila mban qindra trupa në një bazë ish-sovjetike në rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester, ku shumica e popullsisë flet rusisht – e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet moldave./rel