Është arrestuar kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Arrestimi i tij është bërë me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen e pasurisë.
Ish-presidenti dyshohet për “korrupsion“, “pastrim parash” dhe “mos deklarim pasurie“, raporton TV Klan.
Raportohet se Meta është vënë në pranga nga agjentët e BKH-së teksa po shkonte drejt selisë së partisë. Ai kishte planifikuar konferencë për shtyp sot në orën 13:40.
Masa e “detyrim paraqitje” është caktuar edhe ndaj ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.
Mediat shqiptare kanë publikuar momentin kur kreut të PL-së, Ilir Meta i vihen prangat. Ai është arrestuar ditën e sotme me urdhër të SPAK nga agjentët e BKH-së pranë mbikalimit të Kamzës, teksa ka asistuar edhe policia.
Siç shihet në video, fillimisht shoferi i Metës nxirret nga makina, ndërsa me pas arrestohet ish-Presidenti shqiptar.
Kujtojmë se Meta ka qenë disa herë në SPAK ku është pyetur për llogari të një hetimi në lidhje me një pagesë të bërë për lobim në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur prej kohësh një hetim pasuror ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi.
Prokuroria e Posaçme ka të regjistruar më herët të paktën 3 procedime penale që kanë bazë kallëzime të bëra nga qytetarë, por edhe persona të tjerë që lidhen me ish-presidentin Ilir Meta, por edhe Kryemadhin.
Kallëzime të cilat janë përkthyer në procedime të regjistruara për çështje të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.