Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha e ka quajtur sulm ndaj opozitës, arrestimin e aleatit të tij Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë.
Ai tha se deputeti i PD-së, Ervin Salianji dhe Meta, janë prangosur për motive politike.
Berisha bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve, por edhe të vetë strukturave të partisë që ai drejton ne protestës e radhës do të mbahet në datën 29 tetor.
“Të sakrifikojmë e të shpëtojmë vendin tonë. Mos prisni kurrë që të tjerë do vijnë të qëndrojnë për ne. Janë opozitarët shqiptarë ata të cilët kanë meritën e madhe, kanë vullnetin e vendosmërinë për t’u ngritur. Janë ata që i rezistuan përpjekjeve për t’i asgjësuar e sot vijnë më të fortë se kurrë. Koha nuk është e fjalëve, por e veprimit. Drejtues të PD kërkohet përkushtimi juaj më i madh i jetës suaj t’u prijmë qytetarëve, demokratëve në këtë betejë vendimtare. Më datën 29, udhëheqësit e PD në qarqe marrin përsipër të organizojnë në rang qarku paralizimin këtij regjimi”, tha ai.