Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Geci, po dëshmon sot në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka akuzuar ish presidentin Thaçi për komunikatën 59. Geci në seancë ka thënë se atë komunikatë e ka shkruar Thaçi, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Ai është marrë në pyetje nga mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, avokati, Luka Misetiq.
“Dje the, siç ke thënë edhe në intervistën e ZPS-së që një herë ishe takuar me Hashim Thaçin gjatë luftës, dhe ai the që të puthi dorën. Pra puthja e dorës, çka tregon, respekt apo jo?”, është pyetur Geci nga ana e mbrojtjes së Thaçit.
Ai ka thënë se puthja e dorës për të nënkupton se ai person është i rrezikshëm.
“Jo, diçka krejt tjetër. Është njeri i rrezikshëm, se kur mendon që është në rrezik tana i bon. Edhe burri që ta puthë dorën, ai katastrofë është për atë…për shokë të vet dhe për shoqni është katastrofë me i lënë diçka në dorë. Kjo është e vërteta”, ka thënë Geci.
“Pra për ty është shenjë armiqësie puthja e dorës?”, ka insistuar avokati, në çka Geci është përgjigjur:
“Del edhe thotë edhe ka mendu që situata është kaq e ashpër qysh e ka pa vet. Edhe unë nuk kam pas në jetë asi rasti. Kush s’ka ba vaki me ma puthë dorën. Femrat me ma puthë dorën e kam mërzi.
Ka mendu që është në rrezik dhe dal të eci. Kurrë më nuk është përgjegjë, kurrë më s’ka pranu me u taku me mu”, ka vazhduar Geci tutje.
Ai ka thënë se atë kohë i kishte shkuar Thaçit në shtëpi dhe i kishte kërkuar përgjegjësi për komunikatën 59.
“E di që Thaçi e ka shkru. Unë prej ditës së parë që e ka shkru i kam shku në shpi dhe i kam thanë ama përgjigjen për komunikatën. Baba i tij ka thanë që brenda ni muaji ma jep përgjigjen. Kurrë nuk e ka thënë”, tha Geci tutje.
Disa nga përgjigjet e Gecit, i kanë shkaktuar të qeshura Hashim Thaçi.
Geci në disa raste kërkonte që t’i përsëriteshin pyetjet, me arsyetimin se nuk e kishte kuptuar.
Atij i është tërhequr vëmendja disa herë nga ana e gjykatësit duke kërkuar nga ai që në pyetje të caktuara të përgjigjet me po ose jo. /Reporteri.net/
Pyetet për rolin në luftë, Fadil Geci: Unë i kam raportuar vetëm një njeriu