×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi dalin sot para gjykatës

    Reporteri
    23 Tetor 2024 | 9:24

    Ish-presidenti Ilir Meta del sot në orën nëntë e gjysmë para Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.

    Gjithashtu sot do të jepet masa e sigurisë dhe për Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

    Përmes një njoftimi për shtyp, gjykata shprehet se seanca për verifikimin e kushteve do të nisë në orën 9:30.

    Bazuar në nenin 248 pika 1 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 23.10.2024 ora 09:30”, sipas njoftimit të GJKKO.

    Mesditën e 21 tetorit, me urdhër të Prokurisë së Posaçme u arrestua kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

    Mbi të, hetimi është bazuar në tre dyshime, të cilat i konfirmoi dhe avokati mbrojtës Genc Gjokutaj.

    Bëhet fjalë për: korrupsion, pastrim i produkteve dhe mosdeklarim i pasurisë.

    Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

    Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

    Sipas njoftimit të shpërndarë nga SPAK, akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci.

    Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho ndodhet në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje para oficerëve të policisë gjyqësore për akuzën e pastrimit të parave./RTSH

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!