Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se nuk është njoftuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale e Kosovës për nisjen e hetimeve rreth faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit në Kosovë.
Aliu në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se ende nuk ka informacion zyrtar për zgjerim të hetimeve, duke potencuar se në këtë situatë nuk mund të deklarohet, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Por, Aliu ka thënë se do të bashkëpunoj me drejtësinë.
“Nuk kam ndonjë informacion zyrtar në lidhje me zgjerimin e hetimeve. Është informacion që ka dalë nga mediat dhe potencialisht nga ai informacion që e kam, unë po konsideroj që mbase mund të jem pjesë e hetimit, por zyrtarisht nuk jam. Në këtë situatë përderisa potencialisht ka hetim për mu, por zyrtarisht nuk e kam nuk mund të deklaroj pa u sqaruar kjo çështje. Para kësaj kam pasë edhe deklarimet e mia, por tashmë meqë informacioni ka dalë nga mediat se ka një vendim për zgjerim të hetimeve nuk mund të deklarohem”, tha Aliu para mediave.
Gjatë kësaj jave, në media u raportua se Prokuroria Speciale ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në çështjen e ambalazhuesve të ujit dhe nën hetim për këtë rast tashmë rezulton të jetë edhe Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Sipas një dokumenti të publikuar nga Nacionale, ministri Liburn Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore, prej vitit 2021-2024 në cilësinë e personit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për ti shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Ai dyshohet se duke qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj Ministrie të pandehurit Izedin Bytyqi e Naser Hafizi vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve.
Ministri Liburn Aliu dyshohet se ka lejuar, me qëllim përfitimi e për ti shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që operatorëve ekonomik të u zvogëlohen borxhet.
Më këtë sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, Prokuroria Speciale po dyshon se Ministri Aliu i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.
Për rastin e njëjtë, pak ditë më parë Policia dhe Prokuroria kanë kryer një aksion bastisjeje në Ministrinë e Liburn Aliut me ç’rast u arrestua sekretari Izedin Bytyqi dhe u vu në kërkim zyrtarin e MMPHI-së, Naser Hafizi, i cili u arrestua me tu kthyer në Kosovë nga një udhëtim zyrtar.
Bytyqi u la në arrest shtëpiak nga Gjykata Themelore e Prishtinës, derisa Hafizi u dërgua në paraburgim.