Tollovia në komunikacion dhe pritjet e gjata në kolona vazhdojnë të mbesin problem kryesor për qytetarëve në Prishtinë.
Por kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka sugjeruar që ato të merren me sportivitet, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Rama dy ditë më parë tha se qytetarët nuk kanë nevojë të nervozohen dhe se gjatë kohës sa presin në veturë mund ta shfrytëzojnë për të bërë diçka për veten e tyre
“Mundesh me dalë prej kerrit edhe me ecë… Mundesh me bisedu me dikë telefon, me planifiku diçka, me shfrytëzu mundësinë për të menduar diçka për vete”, tha ai, derisa shtoi se nëse vonohesh në punë për shkak të kolonave nuk ke pse nervozohesh pasi që ajo nuk është në dorën tënde.
Kjo deklaratë e Përparim Ramës ka nxitur reagime të shumta.
E sot kryetari i Prishtinës, gjatë përurimit të Rrugës “Nekibe Kelmendi” në Prishtinë përdori shprehjen e njohur për të arsyetuar tollovinë e madhe në trafik.
“Dalëngadalë me intervenime të ndryshme në të gjitha pjesët e kryeqytetit po e transformojmë këtë gjendjen e trafikut. Qyteti ka qenë duke fjetur për një kohë të gjatë ma shumë se një dekadë dhe trafikun me thonë, nuk jua solla unë, po e gjeta këtu, në mesin tuaj, edhe po mundohemi me zgjedhë këtë problem. Problemet nuk zgjidhen si me shkop magjik, mirëpo duhen intervenime, secili intervenim krijon probleme derisa të zgjidhet, ne mundemi me ba hajgare sa të kemi qef…”, tha ai para gazetarëve. /Reporteri.net/