×
  • Lajme
  • Lajme / Vrasja e vitit 2023

    “Nuk e kuptova që ishte babai im”, vajza e të vrarit në Dumnicë të Podujevës rrëfen për ngjarjen

    Reporteri
    23 Tetor 2024 | 22:49

    Në gjykimin ndaj vëllezërve Besnik e Ilaz Saliu të akuzuar për vrasjen e 63-vjeçarin, në 2023-ën në fshatin Dumnicë e Epërme të Podujevës, në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar vajza e të ndjerit S.S, Mirjeta Kadriu e cila ka rrëfyer momentin kur kishte shkuar në vendin e ngjarjes ku gjendej trupi i pajetë i babait të saj.

    “Nuk e kuptova që ishte babai im… Ana e djathtë e fytyrës nuk dukej si e tij. Vetëm nga ana e majtë mund ta njihja, por nuk kam parë më shumë, sepse nuk munda ta përballoja”, deklaroi dëshmitarja Kadriu.

    Ajo tha se ishte tronditur pasi e kishte parë babanë e saj të shtrirë në tokë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëshmitarja Kadriu shtoi se menjëherë kishte telefonuar bashkëshortin e saj që ai të njoftonte Policinë.

    Ajo tha se gjatë ceremonisë së varrimit të babait të saj, S.S., e kishte pyetur tani të akuzuarin Ilaz Salihun, lidhur me ngjarjen dhe nëse kishte ndonjë informacion.

    Sipas dëshmitares, përgjigjet e të akuzuarit Ilaz, kishin qenë të ndryshme, duke përmendur: “Po thonë vrasje me pagesë,” “Nuk guxoj të tregoj se edhe mua mund të më vrasin si S.,” dhe “Nuk guxoj të tregoj se dikush mundet të ma qojë shtëpinë në hënë”.

    Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Salihu, avokati Nasuf Hasani, dëshmitarja deklaroi Besniku e kishte vrarë babin e saj.

    “… kom ni, tregova fjalë, që veç këta kanë mujt me vra … si vulën me ja dhënë e kom pa në media që ka deklaru Iliaz Salihu, që vëllau im Besnik Saliu, e ka vra S.S”, shtoi dëshmitarja.

    I akuzuari Besnik e ka pyetur dëshmitaren nëse ajo kishte fshehur ndonjë provë në vendin e ngjarjes. Ajo u përgjigj se nuk kishte fshehur asgjë dhe nuk kishte parë ndonjë provë.

    Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Ramadan Salihu, djali i të ndjerit S.S., i cili tha se gjithmonë kishte dyshuar se i akuzuari ua kishte vrarë babain e tyre.

    “Në të pame ka ardhur Ilazi (bashkë i akuzuari) dhe Abdullahu (babai i të akuzuarave). Unë atë ditë i kam thënë: kqyr, Besniku e ka vrarë, se unë gjithmonë kam dyshuar në të”, deklaroi ai.

    Dëshmitari Ramadani u pyet nga i akuzuari Besnik, nëse ishte në dijeni që babai i tij kishte pasur shumë probleme pronësore, dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni për këtë.

    Ndryshe, seanca u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit të punës, ndërsa e radhës u caktua për një datë tjetër. G

    Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.

    Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.

    Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.

    Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.

    I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

    Gjithashtu, në aktakuzës thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.

    Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!