Në Bruksel po mbahet raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Siç raportohet takimet dypalëshe kanë filluar dhe delegacioni serb do të jetë i pari që do të bisedojë me ndërmjetësit evropianë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
BE-ja ka thënë se fakti se a do të ketë takim trepalësh apo jo, mbetet në vullnetin e të dy palëve.
Herën e fundit, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq u takuan me të dërguarin special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, më 17 shtator në BE, por asokohe nuk kishte takim trepalësh.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka folur dje në një konferencë për media tha se në agjendë, si edhe më parë, është nevoja për qasje urgjente ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që të dyja palët përfundimisht të pajtohen për procesin, pra për përparim në dialog.
“Në çfarë formatesh dhe si do të vazhdojmë nesër, ne gjithmonë përpiqemi të mbajmë koreografinë e zakonshme, por siç e dini, nëse do të ketë një takim trepalësh, kjo varet shumë nga gatishmëria e të dyja palëve për t’u takuar në një format të tillë trepalësh”, tha Stano të mërkurën.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se takimi trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk është mbajtur në Bruksel sepse kishte deklaruar ai, pala serbe e ka kushtëzuar agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Prishtinën.
Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut./Redporteri.net/