×
  • Lajme
  • Lajme / Akuza për njëanshmëri

    Gërvalla: Lajçaku e çoi në dështim dialogun, s’ka pasur strategji të mirëfilltë

    Reporteri
    25 Tetor 2024 | 9:27

    Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka folur në lidhje me dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Gërvalla ka pasur kritika të ashpra ndaj vetë lehtësuesit Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Gërvalla e ka akuzuar Lajçakun se e ka dërguar në dështim dialogun dhe se nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë.

    “Jo vetëm me strategji të gabuar, por me mungesë totale të strategjisë së dialogut, e ka çuar këtë dialog deri në këtë moment në dështim. Unë konsideroj që ai nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë, e cila do mund të kishte çuar në sukses, nuk ka pasur. Shumë shpesh ka qenë i njëanshëm dhe ia ka mbajtur anën Serbisë dhe shumë shpesh propozimet që i kanë bërë kanë qenë të destinuara të dështojnë, sepse nuk i kanë respektuar realitet”, tha Gërvalla në kanal 10.

    Ka qenë edhe vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai që disa herë ka akuzuar ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

    Kujtojmë se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Miroslav Lajçak, në kuadër të përpjekjeve për të filluar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Për dallim nga organizimet e muajve të fundit, kësaj radhe u zhvillua një takim trepalësh, ndonëse sërish pa ndonjë përparim.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi mes tij dhe homologut të vet serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, përfundoi pa “asnjë rezultat në temat e rëndësishme”.

    Bislimi ka akuzuar Serbinë se po insiston në implementim të pjesshëm të marrëveshjeve. E ka cilësuar këtë qëndrim si joserioz.

     

    Edhe një rund i pasuksesshëm në takimet ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, palët akuzojnë njëra-tjetrën

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!