Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në raportin e tij të rregullt gjashtëmujor drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës është e tensionuar dhe se ekziston mundësia e përshkallëzimit.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të riafirmojnë angazhimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Në raportin për punën e UNMIK-ut dhe situatën në Kosovë, i cili i referohet periudhës nga 16 marsi deri më 15 shtator, theksohen “lëvizjet e njëanshme”, siç është mbyllja e institucioneve të financuara nga Beogradi, hapat drejt hapjes së Urës së Ibrit si dhe kufizimet në qarkullimin e mallrave nga Serbia dhe zbatimi i politikës së re monetare rrisin. Sipas raportit, këto veprime rrisin tensionet ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve.
Ai bëri thirrje për “lidership të përgjegjshëm, prioritet i të cilit është mirëqenia dhe të drejtat e njeriut të të gjithëve në Kosovë”.
“Është thelbësore që veprimet e liderëve politikë të reflektojnë një angazhim për t’iu përgjigjur nevojave dhe të drejtave të secilit në komunitet”, tha Guterres.
Në raport përmendet edhe sulmi terrorist në Bansjkë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Guterres paralajmëroi “se incidenti i rëndë i sigurisë në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar është një tregues i nevojës që të gjitha palët të bashkëpunojnë në kërkimin e drejtësisë dhe se sqarimi i incidenteve të tilla është i një rëndësie kyçe për rivendosjen e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë.”
Guterres theksoi gjithashtu se është thelbësore që forcat e rendit dhe ligjit, mbi të gjitha gjatë arrestimeve dhe çështjeve pronësore, të veprojnë plotësisht në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. /Reporteri.net/