Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se prodhuesit e sistemeve të armatimit nga Turqia kanë qenë dhe do të jenë ndër adresat shtetërore më të shpeshta të blerjeve të armatimit nga Republika e Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë këto komente Maqedonci i ka bërë gjatë vizitës zyrtare në Turqi, ku thuhet se ka zhvilluar disa takime me drejtuesit e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, si dhe me prodhues të sistemeve ushtarake, me disa prej të cilëve thuhet se janë prokuruar sisteme të armatimit dhe pajisje të ndryshme ushtarake.
“Në këto takime ai u njoh dhe u informua me inovacionet e fundit në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe të mbrojtjes së hapësirës ajrore. Me këtë rast, ai ministri theksoi se prodhuesit e sistemeve të armatimit nga Turqia kanë qenë dhe do të jenë ndër adresat shtetërore më të shpeshta të blerjeve të armatimit nga Republika e Kosovës, sepse Kosova dhe Turqia janë aleatë dhe partnerë strategjikë, për mbrojtje e siguri dhe për qëndrueshmëri e paqe”, thuhet në njoftim.
Maqedonci gjatë kësaj jave paralajmëroi se do të rritet flota e dronëve që ushtria e Kosovës do t’i ketë në dispozicion.
Ai tha se do të vazhdojnë të blejnë edhe sisteme të tjera nga kompania “Baykar”.
“Ne kemi vazhduar që edhe pas blerjes së parë të bëjmë blerje të ndryshme nga kompania “Baykar”, më saktësisht të sistemeve të ndryshme, janë blerë edhe dronë të tjerë më herët, pos atyre që i kemi parë në fillim dhe do të vazhdojmë blerjen e sistemeve të ndryshme që prodhohen nga kompania “Baykar”, tha Maqedonci. /Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.