Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikisht nga dy persona.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Reporteri.net se Muhaxheri, është sulmuar fizikisht.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, e ka konfirmuar se janë arrestuar dy të dyshuarit për sulm.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugen Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lendime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarit ndalohen për 48-orë”, ka thënë Rugova për Reporteri.net.
Zëdhënësi i Prokurorisë për Rajonin e Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se dy personat që dyshohet se sulmuan fizikisht Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, janë ndaluar për 48 orë.
Ai tha se në koordinim të plotë me Policinë po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
“Dy persona janë ndaluar për 48 orë për shkak se kanë sulmuar Kryetarin e Komunës së Pejës dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar për 48 orë nga prokurori i shtetit. Gjithashtu janë duke u marrë të gjithë veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Nikçi. /Reporteri.net/.