Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëendosje, Gramos Agusholli, ka reaguar pas sulmit ndaj Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, duke e quajtur këtë si akt të shëmtuar dhe të pabesë.
Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që të ndërmarrin masat e nevojshem për të sjellë autorët para drejtësisë.
“Pavarësisht dallimeve apo pakënaqësive, siguria dhe shëndeti i kryetarit të qytetit duhet të jetë prioritet për të gjithë”, ka shkruar Agusholli.
Dy personat që dyshohet se sulmuan fizikisht Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, janë ndaluar për 48 orë.
Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë për Rajonin e Pejës, Shkodran Nikçi.
Ai tha se në koordinim të plotë me Policinë po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
“Dy persona janë ndaluar për 48 orë për shkak se kanë sulmuar Kryetarin e Komunës së Pejës dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar për 48 orë nga prokurori i shtetit. Gjithashtu janë duke u marrë të gjithë veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Nikçi për Reporteri.net.