Sindikata e Policisë së Kosovës është ndarë e pakënaqur me vlerën e propozuar nga Qeveria e Kosovës për rritjen e pagave.
Sindikata ka kërkuar që të ketë rritje prej dy koeficientësh, e jo një koeficient siç tha sot Kryeministri Albin Kurti, shkruan Reporteri.net.
Nga kjo sindikatë thonë se rritja e propozuar nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit.
“Duke u nisur nga këta faktorë, SPK kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientësh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë. Kjo qasje do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për punonjësit tanë, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se do të ketë rritje të pagave në sektorin publik nga janari. Këtë herë nuk do të rritet vlera monetare e koeficientit, por koeficienti do të rritet për një njësi, e ndarë në dy faza: 0.5 e njësisë në janar dhe o.5 tjetër në korrik.