×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    BSPK kërkon që rritja e pagave “të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta”

    Reporteri
    29 Tetor 2024 | 19:34

    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka ngritur shqetësime për njoftimin e sotëm të Qeverisë për rritjen e pagave për shërbyesit publikë.

    Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, e cilësoi rritjen si mungesë transparence dhe qartësie në qasjen e qeverisë.

    Në deklaratën e tij, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ndonëse vlerësoi rëndësinë e rritjes së pagave për përmirësimin e standardit të jetesës dhe kushteve të punës për të punësuarit, shprehu rezerva për mënyrën se si Qeveria ka prezantuar rritjen e pagave, duke kërkuar që çdo rritje page “të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta, që reflektojnë realitetin ekonomik dhe nevojat e punonjësve.”

    “Sot, pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës përkitazi me rritjen e pagave për disa kategori të punonjësve, ndjehem i detyruar të shpreh shqetësimin tim si kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Edhe pse rritja e pagave është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës së punonjësve, është thelbësore që ky proces të jetë transparent dhe i bazuar në ligj.”, tha ai.

    “Si përfaqësues i sindikatave, kërkoj që çdo rritje page të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta, që reflektojnë realitetin ekonomik dhe nevojat e punonjësve. Është e domosdoshme që procesi të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë përfaqësuesit e sindikatave në diskutimet për vendime të tilla, në mënyrë që të sigurojmë që çdo punonjës të ndihet i vlerësuar dhe i respektuar.”, u shpreh Hykolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!