×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Haxhiu për Prokurorinë Speciale: Mbylli hetimet për pronën në “Veternik” me një dokument të falsifikuar nga Beogradi

    Reporteri
    30 Tetor 2024 | 13:10

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me mënyrën e trajtimit të rastit të një prone në lagjen “Veternik” të Prishtinës.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se dokumentet e falsifikuara nga Beogradi, dyshohet të kenë ndikuar në mbylljen e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Madje sipas saj, ky rast i tillë, është shembull i “drejtësisë së kapur” dhe i dobësisë institucionale në mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Rasti me tokën në lagjen “Veternik” të Prishtinës dhe kjo që ndodhi me zarfin që sipas raportimeve del të jetë dokument i falsifikuar nga Beogradi, me të cilin dokument, Prokuroria Speciale mbylli hetimet është vërtetë shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Republikën e Kosovës. Pra, në mënyrë të falsifikuar i merret prona qytetarit dhe në mënyrë të falsifikuar nga Serbia po ashtu, mbyllet rasti në dëm të qytetarit. Që moti si subjekt politik në Kuvend kemi folur për drejtësinë e kapur dhe nevojën për vetting si të vetmen mundësi për të dalë nga ky qark i mbyllur. Që prej marrjes së mandatit pa rreshtur kemi punuar në përgatitjen e dokumenteve që do të fillonin procesin e vettingut, prej të cilit proces do të pastrohej vet sistemi i drejtësisë e do të rikthehej kredibiliteti e besueshmëria në këtë pushtet mjaft të rëndësishëm për Republikën”, ka shkruar Haxhiu.

    Tutje, Haxhiu ka thënë se për rastin e kësaj prone, fillimisht ka pasur ndjekje penale ndaj disa personave, por që punimet kanë vazhduar edhe pas dërgimit të çështjes në gjykatë.

    Madje, ministrja ka shtuar që familja ka paraqitur prova që tregojnë lidhjet e të përfshirëve në këtë rast, me familjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

    “Në anën tjetër, kemi parë që ndaj qeverisë, ministrave e zyrtarëve të subjektit prej nga jemi, ka pasur reagime e impulse nga ana e kësaj Prokurorie, madje edhe për statuse facebook-u se lëre më diçka më shumë. Mirëpo, sa i përket rastit të tokës në Prishtinë e cila, siç pretendohet, i është marrë familjes përmes falsifikimit të dokumeteve fillimisht ka pasur ndjekje penale për disa persona. Por, çështja ka vazhduar edhe më tutje, kur aty kanë vazhduar punimet, pavarësisht rastit në Gjykatë. Familja ka prezentuar disa fakte të lidhjes së vet të arrestuarëve e përndjekurëve në këtë rast me vet familjen e Kryeprokurorit aktual të Speciales. Në vazhdën e zbardhjes së këtij rasti, si ministri e Drejtësisë, në kuadër të kompetencave tona ligjore, kemi dërguar letër në organet kompetente në Serbi për të marrë përgjigje në lidhje me të vërtetën e pronës. Por, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje siç nuk marrim kurrë nga ta për shkak të problemeve politike”, ka shkruar tutje Haxhiu.

    Më tej, Haxhiu ka pretenduar se Danilo Radunoviq, drejtuesi i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan të Gjeodezisë në Serbi, ka mohuar çdo lidhje me këtë dokument.

    “Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë, thuhet në publikimin e djeshëm. Si ministre e drejtësisë, jam vërtetë e shqetësuar me gjithë këtë rast, veçanërisht, dhe me pretendimet e përfshirjes edhe të akterëve institucional të drejtësisë në këtë rast të kësaj prone, që nga vet prona deri te mbyllja e rastit me dokumente të falsifikuara”, thuhet tutje në postimin e Haxhiut.

    Në përfundim, Haxhiu ka thënë se drejtësia “ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i pushtetshmi”.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!