Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan kundër Projektrezolutës nga Debati Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila me Milan Radoiçiq.
Në seancën e sotme të Kuvendit, kryetari Glauk Konjufca ka pohuar se nga 61 deputetët sa ishin të pranishëm në sallë, 60 votuan kundër, dhe një për.
Në audio-incizimin e publikuar ditë më parë, Simiq e telefonon Kusari-Lilën dhe i tregon se është bashkë me Radoiçiqin, të cilit ia kalon telefonin.
Kusari-Lila më pas ka deklaruar se e ka denoncuar rastin e audio incizimeve të publikuara në Polici dhe në Prokurori. Ajo këto audio- incizime i cilësoi si të fabrikuara.
“Asnjë komunikim nuk ka qenë më Listën serbe për Ligjin për Pagë minimale. Rrjedhimisht incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara për të cilat sot kam qenë në Policinë e Kosovës dhe Prokurori dhe për këto do të vazhdojë rasti. Kjo do t’i bashkangjitet rastit që vetëm vitin e kaluar e kam raportuar kallëzimin penal ndaj ish deputetit Sllavko Simiq. Do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”, kishte thënë Kusasi-Lila.
Biseda të tilla ishin publikuar edhe vitin e kaluar. /Reporteri.net/