Korporata Energjetike e Kosoëvës (KEK), ka njoftuar se testi me shkrim për 220 pozita të manipuluesve është mbajtur dje.
Përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se testi i mbajtur s’është i njëjtë me atë që u publikua dje, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) gjithashtu dëshiron të sqarojë opinionin lidhur me publikimin e një liste me 20 pyetje/përgjigje, që kanë tendencë të zbehin suksesin e procesit të rekrutimit. KEK siguron gjithë opinionin se testi origjinal me shkrim, i cili zhvillohet në formë elektronike dhe shfaq një pyetje në çdo kohë, përmban gjithsej 31 pyetje, secila me nga 4 përgjigje, ku vetëm njëra është e saktë. Prandaj, ky test nuk është ai që është publikuar dje”, thuhet në njoftimin e tyre.
Po ashtu, KEK ka bërë të ditur se testi është zhvilluar nën monitorimin e kamerave, ku sipas tyre. secili kandidat kishte mundësi të shihte rezultatin e arritshmërisë.
“Në këtë testim, i cili filloi në orën 9:00 dhe përfundoi në orën 18:50, nga 554 kandidate të ftuar, 517 i janë nënshtruar testit, 37 nuk janë paraqitur dhe një kandidat është përjashtuar për mosrespektim të rregullave të testimit. Procesi u zhvillua nën monitorimin e kamerave, në mënyrë elektronike, ku çdo kandidat kishte mundësinë të shihte rezultatin e arritshmërisë (pikët) në mënyrë automatike pas përfundimit të testit”, thuhet më tej.
Në përfundim, kanë njoftuar se procedura e rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera, bazuar në rregulloret e brendshme dhe ligjet në fuqi.
/Reporteri.net/.