×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykimi

    “Patentë shoferët”, dëshmitari bashkëpunues tregon se si i ishin vendosur kamera dhe kufja për të kaluar testin teorik

    Reporteri
    30 Tetor 2024 | 19:47

    Dëshmitari Endrit Shashivari tregoi se si i ishte vendosur kamera në gjoks dhe kufja (dëgjuesja) në vesh, për t’i ndihmuar në kalimin e testit teorik për t’u pajisur me patentë shofer.

    Këtë deklarim, Shashivari e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Patentë shoferët”.

    “Paisjet për testin teorik, kush nuk më kujtohet, një kamerë dhe një dëgjuese e vogël, dëgjuesja në vesh, kamera në gjoks”, tha Shashivari, duke shtuar se këto ia vendosi një person tullac në një dyqan në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëshmitari Shashivari tha se prezent kur i ishin vendosur kamera dhe dëgjuesja, ishte edhe i akuzuari Avdush Topalli.

    Të akuzuarit Topalli, dëshmitari tha se ia kishte dhënë një shumë të caktuar parash për paraqitjen e testit teorik dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera të nevojshme.

    “Për me fillu regjistrimin dhe procedurat tjera”, shtoi Shashivari.

    Ai tha se vetën në herën e tretë kishte arritur të kalonte testin teorik dhe se në të tri rastet i kishte të vendosura kamerën dhe kufjen. Këto të fundit, tha se i kishin ndihmuar për të kaluar testin teorik, dhe atë konkretisht për plotësimin e testit.

    Dëshmitari tha se askujt nuk i kishte dhënë ryshfet brenda Qendrës së testimit, ku edhe e kishte plotësuar testin teorik.

    Pas përfundimit të dëshmisë nga Shashivari, seanca vijoi me dhënie e dëshmisë nga dëshmitari tjetër bashkëpunues, Dëfrim Bajraj, i cili tha se posedon patentë shofer dhe se pohoi se në deklaratën e dhënë në Polici është nënshkrimi i tij, ku kishte deklaruar se paratë që i ishin prezentuar nga hetuesit policorë nuk i kishte njohur se çfarë marke janë.

    Bajraj tha se kishte filluar punën në një auto-shkollë në Gjilan, pastaj ishte transferuar në Prishtinë.

    Ndryshe, dëshmia e dhënë nga Bajraj, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve e palëve tjera, si dhe mungesës së zërimit në sallën e gjykimi, është dëgjuar shumë pak në pjesën e publikut, meqë rast kishte ankesa edhe nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se nuk po dëgjohet.

    Ndryshe, gjykatësja e rastit Fatime Dermaku tha se jashtë seance do të vendosin për cilësinë e dëshmitares bashkëpunuese, Adelina Gashi, duke analizuar në tërësi se deklarata e saj e marrë në procedurë paraprake se a ka qenë konform dispozitave ligjore në fuqi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!