Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona të cilët dyshohen në lidhje me kultivimin e drogës që ishte kapur në një fshat të Klinës, në gusht të këtij viti. Arrestimi i tyre është bërë me bashkëpunimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar pamjet kur Policia arreston brenda banesës dy vëllezërit e dyshuar.
“Më 10 gusht të këtij viti, në një fshat të Klinës, lidhur me rastin që tashmë është koduar si “Mirusha”, ishin gjetur dhe asgjësuar mbi 900 bimë narkotike të llojit marihuanë. Të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personat e dyshuar, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës mbetet e perkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprave kriminale, në veqanti luftë e pakompromis do të bëhet kundër personave dhe grupeve kriminale që janë të përfshirë në kultivim dhe abuzim me droga”, thuhet në njoftimin e Policisë për këtë rast.