×
  • Lajme
  • Lajme / Progresi

    Kurti jep “versionin” e tij për Raportin e Komisionit Evropian: Pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres

    Reporteri
    30 Tetor 2024 | 20:58

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë ‘versionin’ e tij Raportin e Progresit për Kosovën, të cilin e pranoi sot nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav.

    Zyra e Kurtit përmes një komunikate për media thotë se sipas Raportit të BE-së, Kosova s’ka pasur ecje mbrapa, por pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres.

    “Në pikat e tij kryesore, Raporti i BE-së për Kosovën vlerëson pozitivisht liberalizimin e vizave si një hap që pritet të përmirësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen. Ai vlerëson përkushtimin e Kosovës për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

    Tutje thuhet se në raportin e këtij viti gjithashtu vlerësohet angazhimi aktiv i Kosovës në zbatimin e Planit të Rritjes, Agjendën e reformave si dhe angazhimin në promovimin e bashkëpunimit rajonal në zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA me marrëveshje të reja që forcojnë tregtinë dhe lidhjet ekonomike brenda rajonit.

    “Forcimi i kornizës ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen gjithashtu pozitivisht si prioritet i qeverisë për një shtet të së drejtës. Reformat zgjedhore, sikurse edhe përmirësimi i kushteve të tregut të lirë dhe mbështetja për sipërmarrësit që ndihmon në rritjen e konkurrencës dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Raporti vëren se nuk ka pasur asnjë ecje mbrapa në asnjërën nga fushat kyçe të reformës, ndërkohë që pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres – dëshmi kjo e përkushtimit të qeverisë për përparim dhe progres të vazhdueshëm”, thuhet në komunikatë.

    Kryeministri mirëpriti rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në rrugën e reformave.

    “Integrimi i plotë i Kosovës në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe angazhimi në reforma është në interes të qytetarëve për progress të gjithmbarshëm demokratik dhe socio-ekonomik”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!