Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një person të dyshuar për “Lëndimt ë rëndë trupor”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Përmes një njoftimi në Facebook, kanë bërë të ditur se emri i këtij të fundit është Fisnik (Muharrem) Qenaj, i lindur më 22 mars të vitit 2023, në fshatin Romajë të Prizrenit.
Po ashtu, në njoftimin e tyre thuhet se përkundër angazhimeve të shumta hetimore, ai ende gjendet në arrati.
“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografisë të personit të dyshuar në rast, me qëllim lokalizimin e tij, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarë dhe media. Personi i dyshuar është: Fisnik (Muharrem) Qenaj, i lindur me 22.03.2003, banues në fshatin Romajë-Prizren. Lidhur me rastin e iniciuar në Stacionin Policor në Gjakovë “lëndim i rëndë trupor”, Sektori i Hetimeve në kuadër të këtij stacioni, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë ndërmarrë veprime hetimore me ç’rast edhe është identifikuar i dyshuari i lartshënuar. Në lidhje me rastin nuk është arritur të sigurohet prezenca e personit në fjalë. Edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore dhe operative ai ende gjendet në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në përfundim Policia kërkon nga qytetarët që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e tij, të lajmërojë Policinë apo stacionin më të afërt policor.
/Reporteri.net/.