Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një video, ku kryeministri Kurti premton që gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojë banim të përballueshëm për 4 mijë familje për çiftet e reja, gratë kryefamiljare dhe shërbyesit publikë.
“Për çiftet e reja, gratë kryefamiljare, por edhe për shërbyesit publikë si arsimtarët, infermierët, policët e zjarrfikësit, apo edhe administrata publike, vetëm gjatë mandatit të parë të qeverisjes, do t’u mundësojmë banim të përballueshëm për 4000 familje”, ka thënë Kurti.
Abdixhiku ka thënë se ky premtim s’u bë dhe se Kosova meriton më mirë.
“Çka u tha e çka s’u bë, për çiftet e reja, gratë kryefamiljare e shërbyesit publik? Kosova, meriton më mirë! Ndryshimi po vjen!”, ka shkruar Abdixhiku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një prej premtimeve më të zëshme të tij e kishte edhe ndërtimin e banesave për çiftet e reja.
Ndonëse në fund të mandatit, Kurti dhe Qeveria që e drejton nuk ka bërë diçka konkrete në këtë drejtim.
Kurti si opozitar në një fjalim të tij në Kuvend thoshte se ndërtimi i banesave për çiftet do të mund ta ndalte edhe braktisjen e vendit nga të rinjtë.
“Mungesa e banesave për çiftet e reja. Të gjithë jemi dëshmitarë se të rinjtë e të rejat në të 20-tat e tyre fejohen e kalojnë vite të tëra e nuk martohen, se nuk kanë ku martohen. Janë të panumërta rastet kur çiftet e reja dalin të jetojnë me qira dhe detyrohen të kthehen tek prindërit e ndoshta një ditë edhe ikin nga vendi. Ndërkaq, ne infrastrukturë e mendojmë vetëm asfaltin e jo banesat për çiftet e reja. Banesat për çiftet e reja janë tejet të rëndësishme në mënyrë që të mos ikë rinia”, thoshte Kurti dikur. /Reporteri.net/