Tre persona dyshohet se kanë mbetur të helmuar si pasojë e një shpërthimi në një lokal të Podujevës, raporton gazeta online Reporteri.net.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, për Reporteri.net, tha se mbrëmë kanë trajtuar tre persona që dyshohet se janë helmuar nga amoniaku, pas një shpërthimi në një lokal, përderisa gjendja e tyre ishte stabile.
Megjithatë, Syla tha se aktualisht nuk ka informacion për gjendjen e tyre shëndetësore, pasi të njëjtit tashmë janë në trajtim mjekësor në Klinikën e Pulmologjisë.
“Aktualisht nuk di se është gjendja e tyre sepse nuk janë më në QE. Por, mbrëmë i kemi trajtuar tre persona të intoksikuar me amoniak. Pas tretmanit tek ne, i kemi transferuar në Klinikën e Pulmologjisë për vazhdim të tretmanit të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e Sylës.
Lidhur me rastin, gazeta online Reporteri.net, ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por deri më tani s’ka ndonjë përgjigje. /Reporteri.net/.