×
  • Lajme
  • Lajme / Skandali në MPJD

    Zhdukja e qindra pasaportave, PDK kërkon hetim urgjent: Mërgimtarët rrezikohen nga keqpërdorimi i të dhënave personale

    Reporteri
    31 Tetor 2024 | 11:59

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se Prokuroria urgjentisht duhet ta hetojë zhdukjen e qindra pasaportave të mërgimtarëve, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Musliu-Shoshi ka thënë se 406 pasaporta të mërgimtarëve, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie, nuk dihet ende se ku janë. PDK ka kërkuar llogaridhënie nga MPJD, duke thënë se humbja e dokumenteve personale rrezikon keqpërdorimin e identitetit të bashkatdhetarëve.

    “Ky nuk është rasti i parë që bashkatdhetarët përballen me probleme me pajisje të dokumenteve personale. Vonesa të shumta për shkak të mungesës ë së materialit kanë qenë evidente. Këto vonesa kishin vetëm një qëllim, aplikimi e kontratave njëburimore nga kjo ministre e papërgjegjshme. Kontratat një burimore janë hajni. Tenderi iu dha një kompanie 6 herë më të shtrenjtë. Humbja e dokumenteve personale rrezikon keqpërdorimin e identitetit të bashkatdhetarëve tanë, gjë që nuk guxon të ndodhë në asnjë mënyrë. PDK ka kërkuar llogaridhënie nga MPJD dhe ka bërë thirrje që organet e rendit dhe drejtësisë të merren me rastin. Sot me urgjencë kërkojmë llogaridhënie nga kjo qeveri, si u zhdukën këto dokumente, ku janë ato? Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të hetojë këtë rast”, tha Musliu-Shoshi në seancën e Kuvendit./

    Gazeta online Reporteri.net javën e kaluar ka publikuar vendimin për ndërprerjen e kontratës, ku përmendet se 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie s’kanë arritur në destinacione. Për këto dokumente Reporteri.net mëson se janë zhdukur.

    Kontrata e shërbimeve postare diplomatike, me numër 216-23-13152-2-1-1, u ndërpre zyrtarisht pas pranimit të rekomandimit nga menaxheri i kontratës, i cili e dërgoi një rekomandim tek Departamenti i Prokurimit, duke argumentuar se operatori ekonomik ka dështuar në përmbushjen e afateve kohore të përcaktuara në kontratë.

    Në këtë dokument thuhet se një nga shkeljet më të mëdha ishte mosrespektimi i afateve kohore për dërgesat diplomatike.

    “Dërgesat e para nuk arritën brenda afatit të specifikuar prej 24-48 orësh në Zonën 1. Kjo shkelje e vazhdueshme u shoqërua me paralajmërime nga menaxheri i kontratës, i cili më 26 qershor 2024 dërgoi një vërejtje me shkrim ndaj operatorit. Edhe pse operatori u paralajmërua, një dërgesë tjetër, e nisur më 3 korrik 2024, përsëri nuk arriti në destinacion brenda kohës së caktuar. Kjo përkeqësoi situatën dhe vërejtja e parë me shkrim u dërgua zyrtarisht më 5 korrik 2024”, thuhet në vendim.

    Kostoja totale e kontratës ishte 250,000 euro, ndërsa deri në ndërprerje ishin kryer pagesa prej 22,177.78 euro për periudhën qershor-shtator”, thuhet në vendimin për ndërprerje të kontratës.

    Ndërprerja e kontratës erdhi pas një periudhe të gjatë ankimimesh nga qytetarët dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës për vonesat dhe cilësinë e dobëta të shërbimeve.

    Skandali në MPJD, dyshohet se 406 pasaporta dhe 165 letërnjoftime u zhdukën nga kompania së cilës i’u ndërpre kontrata

    Ministria e Punëve të Jashtme ka dalë me reagim lidhur me skandalin në këtë ministri, ku qindra pasaporta diplomatike e letërnjoftime nuk kanë shkuar në duart e njerëzve që i kanë porositur ato në muajt e fundit nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K, që e kishin kontraktuar.

    Në njoftimin e MPJD’së tu tha se nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara, por nuk është treguar se ku ndodhen këto dokumente, shkruan Reporteri.net.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaron që nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara. MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.

    Lidhur me shkëputjen e kontratës me operatorin në fjalë, Ministria ka thënë se kishte shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumentave.“Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, u tha në reagim. /Reporteri.net/

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!