×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Miratimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë, Zyra e BE’së: S’janë marrë parasysh këshillat tona – s’i trajton as rekomandimet e Kushtetueses

    Reporteri
    31 Tetor 2024 | 20:51

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dalë me një reagim pas miratimit të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, që kaloi në seancën e djeshme të Kuvendit.

    Në reagim thuhet se nuk janë marrë parasysh “këshillat e gjera dhe konsistente që BE’ja i ka dhënë gjatë procesit të hartimit”, për ta harmonizuar atë me parimet e meritës dhe standardet e BE’së, shkruan Reporteri.net.

    “Përveç kësaj, ai nuk i trajton rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023 në mënyrë adekuate dhe rrezikon të shkojë kundër tyre”, thuhet në reagim.

    Shqetësimet kanë të bëjnë me ndryshimet në pozitat udhëheqëse në shërbimin civil.

    “…duke e lejuar përkohësinë dhe jostabilitetin përmes përcaktimit të mandateve të kufizuara në kohë dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat udhëheqëse, në vend të sigurisë dhe parashikueshmërisë në karrierën e shërbyesve civilë të nevojshëm për profesionalizimin e tij. Për më tepër, ai lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij”, thuhet tutje në reagim.

    Zyra e BE’së ka theksuar se reforma e Administratës Publike është pjesë esenciale e rrugës së Kosovës drejt BE-së.

    “Sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformës, Kosova është zotuar ta zhvillojë një administratë publike profesionale, efikase dhe llogaridhënëse për ta sjellë Kosovën më afër BE-së dhe për të mirën e qytetarëve. Për këto arsye, ne presim që Kosova t’i përmbushë këto zotime dhe ta ketë një kornizë legjislative që është në përputhje me standardet e BE-së”, përfundon reagimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!