Bordi i Radio Televizionit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndërruar Statutin e transmetuesit publik në mënyrë që të arrijnë të caktojnë ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, pozitë në të cilën u emërua Hysen Hudozi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ndërrimi i Statutit u bë në mënyrë që anëtarët e bordit të RTK-së që mbeshteten zgjedhjen e Hudozit për të ushtruar detyrën e udhëheqësit kryesor të RTK-së, ta mundësojnë votimin e tij me shumicë të thjeshtë të votave në bord, pra gjashtë vota.
Sipas Ligjit për RTK-në, emërimi i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së bëhet me 2/3 e votave të anëtarëve të bordit, e që i bie të jenë 8 vota për, pasi që përbërja e plotë e bordit duhet të jetë 11 anëtarë.
Duke e marrë për bazë Ligjin për RTK-në dhe faktin se u.d drejtori i ka të kompetencat si të drejtorit, edhe në Statutin e RTK-së ka qenë e përcaktuar që u.d drejtori të emërohet me 2/3 e votave të anëtarëve të bordit, pra me 8 vota, por kjo gjë është ndryushuar sonte, duke i mundësuar Hudozit të emërohet në këtë pozitë. Ky ndryshim krijon dyshime nëse ky veprim ka qenë i ligjshëm, pasi që Ligji e pëcakton që duhen 2/3 apo tetë vota për të emëruar drejtorin e përgjithshëm, ndërsa ushtruese i detyrës është ekuivalenti i kësaj pozite, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në njoftimin e Bordit është thënë se kjo ishte mundësia e vetme për zhbllokimin e krizës, pas dorëheqjes së Adi Krastës, dhe meqë në mbledhje janë vetëm gjashtë anëtarë.
“Me këtë rast, duke iu referuar kësaj situate të bllokuar financiare dhe menaxheriale, e cila paralizon të gjitha operacionet dhe aktivitetet në RTK, në kushte kur pjesëmarrës në mbledhjet e bordit të RTK-së ishin vetëm gjashtë (6) anëtarë, dhe pas konsumimit të mundësive për të emëruar një udhëheqës me pjesëmarrje të të gjithë anëtarëve , Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash”, thuhet në njoftimin e Bordit.
Një tentativë për ta emëruar u.d e drejtorit, Bordi i RTK’së e ka pasur edhe para dy ditësh, por që ka dështuar, meqë gjashtë vota ishin për dhe një kundër.
Në njoftimin që ishte lëshuar, edhe ishte paralajmëruar mundësia për këto ndryshime.
“Bordi me seriozitet të lartë do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionale për të gjetur një zgjidhje që të sigurojë funksionimin menaxherial të RTK-së, në përputhje me rregullativën ligjore”, thuhej në njoftimin e lëshuar para dy ditësh.