×
  • Lajme
  • Lajme / Ganimete Musliu

    Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së thotë se kryespiuni nuk iu përgjigj për rastin e Vehbi Kajtazit

    Reporteri
    31 Tetor 2024 | 22:11

    Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu ka thënë se pas publikimit të lajmit se në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi është gjetur një pajisje e dyshimtë përgjuese, ka tentuar që të kontaktojë me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti por nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ai.

    Musliu tha se pret që Ajeti ta kontaktojë dhe t’i jap përgjigje se kush fshihet pas rastit, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Ajo ka theksuar se pret që rasti të zbardhet sepse ky është akt i shëmtuar që cenon lirinë e individit dhe mediave.

    “ Unë i kam përcjellë me shumë shqetësim lajmet që kanë dalë gjatë ditës lidhur me rastin e gazetarit Vehbi Kajtazi dhe para disa orëve nëpërmjet rrjeteve sociale e kam shprehur shqetësimin tim dhe kam kërkuar nga organet kompetente që të merren me rastin pa e drejtuar gishtin nga askush derisa faktet ta dokumentojnë dhe vërtetojnë se kush qëndron prapa këtij akti të shëmtuar i cili cenon lirinë e individit dhe të mediave. Unë para se të reagojë kam tentuar të kontaktoj me drejtorin e AKI-së por e kisha të pamundur. Deri më tani nuk kam kontaktuar. Jo nuk kam marrë përgjigje, kam tentuar të diskutoj, edhe pse komunikimin e kemi shumë zyrtar dhe të shëndosh. Pres që drejtori i AKI të më marrë në telefon ose të më shkruaj që  të diskutojmë për çështjen. Varet nga rastet dhe situatat për çka e kam kontaktuar.”, tha Musliu në T7.

    Ajo tha se pret që rasti të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

    “Pres që të zbardhet ky rast dhe të mos lëmë hapësirë për spekulime dhe e vërteta të dalë e ata përgjegjës që e kanë bërë këtë akt të shëmtuar që krijon frikë të dalin para drejtësisë. Besoj që nesër e tutje do të kemi informacione të sakta dhe rasti të zgjidhet sa më shpejt dhe ky problem të ketë adresë dhe të gjithë ata që marrin guximin të shantazhojnë gazetarët të dalin para drejtësisë kushdo qofshin ata.”, tha Musliu.

    Gazetari Vehbi Kajtazi ka njoftuar sot se një pajisje e dyshimtë i është vendosur në veturën e tij.

    Sipas Kajtazit, pajisja e dyshimtë që ka qenë e vendosur në veturën e tij është zbuluar pasi ai e kishte dërguar veturën për kontrollim.

    Kajtazi ka deklaruar se më nuk ndihet i sigurtë, derisa ka shtuar që ky rast konfirmon që s’ka siguri as juridike e as fizike.

    Përmes një postimi, Kajtazi ka kërkuar që gjatë procesit të ekzaminimit të pajisjes, të jenë të pranishëm edhe avokatët e tij, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Po ashtu ai thënë se pajisja është prodhim britanik dhe ka një SIM kartelë e internet, që sipas tij, është lehtë e verifikueshme se kujt i përket.

    “Siç jeni te njoftuar, sot rreth orës 10:00 paradite kam dërguar veturën për kontroll në servis. Gjatë kontrollit është zbuluar një pajisje e dyshimtë ngjitur në shasi, në anën e majtë prapa. Menjëherë kam kontaktuar Policinë e Kosovës. Pas ardhjes së një patrulle të stacionit të Graçanicës, është kontaktuar njësia kundër bombave e Policisë dhe Krimet e Rënda. Njesitët e specializuara kanë tërhequr këtë pajisje dhe kanë konstatuar së është GPS, me numër serik. Është bërë kontrolli i veturës për ndonjë mjet tjetër të dyshimtë, por nuk është zbuluar ndonjë gjë. Unë tashme nuk ndjehem i sigurt, ndonëse nuk ua kam frikën. Po konfirmohet se nuk ka siguri juridike më. Mbase as fizike. Pajisja është prodhim britanik me SIM kartë dhe internet. Është lehtë e verifikueshme se kujt i përket”, ka shkruar gazetari në Facebook.

    Për rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovws.

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rastin e gjetejes së një pajisjeje të dyshimtë në veturën e gazetarit, Vehbi Kajtazi.

    Sipas Policisë pajisja dyshohet që është GPS (Sistemi Global i Pozicionimit), shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Policia ka bërë të ditur se e ka intervistuar gazetarin Kajtazi.

    “Pas pranimi të këtyre informacioneve nga Policia e Kosovës janë ndërmarr veprime të menjëhershme policore, është intervistuar gazetari në fjalë dhe këto informacione (edhe një pajisje/dëshmi që sipas informatave fillestare dyshohet të jetë GPS), janë duke u trajtuar në bashkëpunim me prokurorinë për të sqaruar rrethanat dhe dyshimet e tjera, përfshirë këtu edhe angazhimin e profesionistëve të Policisë së Kosovës që merren me trajtimin e mjeteve apo pajisjeve të dyshimta.”, kanë thënë në një përgjigje për Reporteri.net nga Drejtoria për Informim dhe Marrdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës.

    Sipas Policisë, për mbarëvajtjen dhe rezultatet e hetimeve që po realizohen në bashkëpunim me prokurorinë, do të njoftohet me kohë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!