Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në edicionin e 21’të të Forumit Ekonomik të Vjenës, ku ka thënë se Kosova “është një shembull i madh që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë dorë për dore”, shkruan Reporteri.net.
Në adresimin e tij, Kurti ka theksuar rolin e rëndësishëm të Austrisë dhe partneritetin e saj me Kosovën para dhe pas pavarësisë, derisa ka folur edhe për arritjen e marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtete anëtare të EFTA-s dhe avancimin në përfaqësimin e Kosovës në CEFTA.
“Me këtë rast, kryeministri foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe 10-vjetorin e suksesshëm të Procesit të Berlinit. Veçoi njoftimin që ai bëri gjatë punimeve të samitit në Berlinit për sa i përket vendimit që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në mënyrë të njëanshme Kosova do të lejojë udhëtimin në drejtim të saj të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftime, siç parashihet me marrëveshjen e mobilitetit të nënshkruar në Berlin dy vjet më parë në kuadër të Procesit të Berlinit. Sepse pa lirinë e lëvizjes, siç tha kryeministri, nuk do të jemi në gjendje të rrisim mobilitetin e punëtorëve, studentëve dhe profesionistëve, gjë që është thelbësore si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomive tona”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti ka deklaruar tutje se Kosova nuk është një vend i madh, “por është një shembull i madh që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë dorë për dore, dhe në fakt ato forcojnë njëra-tjetrën”.
Sipas këtij njoftimi, Kurti ka deklaruar se progresi i Kosovës është i ndërlidhur me progresin e vendeve fqinje.
“Megjithatë, progresi i vendit tonë është i ndërlidhur me progresin e vendeve tona fqinje, prandaj ne jemi të përkushtuar që të punojnë së bashku sepse besojmë që të gjithë përfitojmë kur rajoni është më prosperues dhe më i sigurt, theksoi kryeministri. Me përjashtim të fqinjit tonë verior, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre, dhe të gjitha duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, tha më tej”, thuhet tutje në njoftim.
Tutje, Kurti ka thënë se bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të ketë të bëjë vetëm me statistikat e rritjes dhe marrëveshjet tregtare.
“Ka të bëjë gjithashtu me nxitjen e qëndrueshmërisë demokratike brenda vendeve dhe solidariteteve të demokracive ndërmjet vendeve. Ne nuk e shohim bashkëpunimin ekonomik si një lojë zero-sum, por si një mundësi për arritje të përbashkëta. Partneritetet e qëndrueshme janë ato që bazohen jo në komoditete ose mallra, por në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Kur i bëjmë bashkë demokracinë dhe ekonomisë, besoj se fitojmë atë që na nevojitet më shumë: sigurinë ekonomike duke ruajtur dinjitetin njerëzor”, u shpreh kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.