×
  • Lajme
  • Botë / Gara presidenciale

    Trump në prag të fitores, urohet nga liderët botërorë

    Reporteri
    06 Nëntor 2024 | 11:10

    Donald Trump është shumë afër të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë pasi fitoi disa shtete kyçe.

    Trump sipas projeksioneve të mediave ndërkombëtare tani ka fituar shtetin e Pensilvanisë dhe 19 votat e kolegjit të tij elektoral.

    Kandidati i republikanëve për president të SHBA-së, Donald Trump është shumë afër sigurimit të 270 votave elektorale, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Sipas projeksionit të CNN, Trump aktualisht ka 266 vota elektorale, vetëm katër vota larg Shtëpisë së Bardhë.

    Në anën tjetër demokratja Kamala Harris ka 219 vota.

    Kandidati që arrin në 270 vota elektorale i fiton zgjedhjet presidenciale. Numërimi është duke vazhduar.

    Republikani, Donald Trump në një fjalim para mbështetësve të tij, tashmë ka shpallur fitoren.

    Trump ka thënë se ka siguruar një “fitore madhështore” derisa është shprehur kjo do të jetë “epoka e artë” e Amerikës, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Kjo është një fitore madhështore për popullin amerikan, që do të na lejojë ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe,” shton ai, duke përdorur sloganin dhe frazën e tij të fushatës.

    Trump: Kemi arritur një fitore madhështore

    Liderët botërorë kanë nisur ta urojnë Donald Trumpin për fitoren e zgjedhjeve presidenciale edhe pse zyrtarisht ende nuk është shpallur një fitues.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka qenë ndër të parët. Ai e ka quajtur atë “rikthimin më të madh në histori”.

    “Rikthimi yt historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një ripërkushtim të fuqishëm për aleancën mes Izraelit dhe Amerikës”, ka shkruar ai në X.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po ashtu ka reaguar. “Urime president Donald Trump. Të gatshëm të punojmë bashkë ashtu si kemi bërë për katër vjet”, ka shkruar ai.

    E kryeministri britanik, Keir Starmer, po ashtu e ka quajtur fitore historike. “Si aleatët më të afërt, qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes”, ka thënë Starmer ndër tjerash.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është “fitore mbresëlënëse” e Trumpit. Ai ka thënë se vlerëson “angazhimin e Trumpit për qasjen ndaj paqes”. “Unë shpresoj se do ta vëmë në veprim së bashku. Ne presim një epokë të SHBA-së së fuqishme nën udhëheqjen vendimtare të presidentit Trump”.

    Një urim e ka bërë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

    Rutte ka thënë se udhëheqësia e Trump do të jetë kyçe për ta mbajtur NATO-n të fortë.

    “Sapo urova Donald Trumpin për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Udhëheqësia e tij do të jetë edhe një herë kyçe për ta mbajtur aleancën tonë të fortë. Mezi pres të punoj me të dhe të avancojmë paqen përmes NATO-s”, ka shkruar Rutte në platformën “X”.

    Trumpin e ka uruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Osmani ka shkruar se SHBA-ja mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i pazëvendësueshëm i Kosovës.

    “Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona të përzemërta Donald Trump dhe JD Vance për zgjedhjen e tyre si President dhe Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara. SHBA-ja mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i pazëvendësueshëm i Kosovës.

    Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë!”, ka shkruar Osmani në X. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!