×
  • Lajme
  • Lajme / Brenda një jave

    Dy muaj para nisjes së fushatës, Ministria e Nagavcit lidh dy kontrata milionëshe për ndërtimin e çerdheve

    Autor:Lira Klaiqi
    07 Nëntor 2024 | 20:04

    Gurthemelet që s’i vuri qe gati katër vjet në pushtet, Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë, Arbërie Nagavci, i ka lënë për në fund të mandatit. Tash kur kanë mbetur edhe dy muaj nga fillimi i fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Ministria e Arsimit ka dhënë dy kontrata tjera për ndërtimin e çerdheve, vlera e të cilave shkon në mbi 2.1 milionë euro, shkruan Reporteri.net.

    Ditën e djeshme, MASHT ka dhënë një tender në vlerë prej 1 milion e 82 mijë e 568 euro për ndërtimin e çerdhes në fshatin Brodosan të Dragashit. Kjo çerdhe “TIPIKE e parafabrikuar” do të ketë kapacitet për 40 fëmijë.

    Me kontratë është shpërblyer konsorciumi “TOP PROJEKT SH.P.K; HARST Group SH.P.K”, derisa nënshkrimi pritet të bëhet nesër.

    Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 15 muaj.

    Një tender tjetër në vlerë mbi 1 milion euro, Ministria e Arsimit e ka dhënë të mërkurën e kaluar, për ndërtimin e çerdhes në Rekë-Vatë të Kaçanikut.

    Kontrata në vlerë prej 1 milion e 96 mijë e 43 euro, i është dhënë konsorciumit “T&DESIGN SH.P.K; CONSTRUMAX SH.P.K”.

    Nënshkrimi i saj ka qenë i planifikuar të bëhet sot, derisa kohëzgjatja është për 24 muaj.

    Reporteri.net ka raportuar të martën se si kjo ministri ka nënshkruar katër kontrata në vlerë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e çerdheve në Deçan, Viti, Obiliq dhe Prizren.

    160 çerdhet e premtuara, Nagavci aktivizohet para zgjedhjeve – për një muaj kontrata në vlerë afër 3 milionë Euro

    Ndërkohë, javën e kaluar Reporteri.net ka raportuar për 10 kontratat që MASHT ka dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, për punë shtesë në ndërtimin e çerdheve që janë në ndërtim e sipër. Vlera e këtyre kontratave sillet rreth gjysmë milioni euro dhe shumica e tyre janë nënshkruar të njëjtën ditë, më 17 tetor, e në total në një periudhë rreth dy javore.

    Ministria e Arbrie Nagavcit shpërndanë rreth gjysmë milionë Euro tenderë një burimor për punë shtesë në ndërtimin e çerdheve

    Ndryshe, para se të vinte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se do të ndërtonte 160 çerdhe. Për ta përmbushur këtë premtim, është ende larg.

    Deri në fillim të këtij viti, ishin ndërtuar vetëm katër prej tyre, e në janar ishin publikuar njoftime paraprake për ndërtimin e 19 të tjerave.

    Një bilanc rreth punës për ndërtimin e çerdheve e kishte bërë kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 16 dhjetor 2023.

    “Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite, janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Për 17 vjet në Kosovë janë ndërtuar 4 çerdhe, në periudhën 2003-2020. Nga marrja e mandatit tonë 2021 e deri më sot, struktura e çerdheve është si vijon: -4 çerdhe të përfunduara, -26 në proces të punës, -3 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës, dhe -8 çerdhe në proces të tenderimit”, kishte deklaruar Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!