×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Hamza pritet në kancelarinë e Gjermanisë, takon njerëzit e Scholz dhe Baerbock

    Reporteri
    08 Nëntor 2024 | 11:37

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar se është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Gjermani ku është takuar me bashkëpunëtorin e kancelarit gjerman, Alexander Wallau, dhe përfaqësuesin nga MPJ gjermane, Michael Reiffenstuel.

    Hamza ka thënë se në këto dy takime ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe ka shtuar se angazhimi i tij si kryeministër i ardhshëm i Kosovës do të jetë për jetësimin e aspiratës evropiane të popullit të Kosovës.

    “Në të dyja takimet e theksova rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Angazhimi im si kryeministër i ardhshëm do të jetë i përditshëm për jetësimin e aspiratës evropiane të popullit tonë”, ka shkruar Hamza.

    Hamza thotë se të dy zyrtarët gjermanë i ka njoftuar për vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për kushtet që do të krijohen për investime te huaja, përfshirë investitorët gjermanë.

    “Pas SHBA-së dhe Francës erdha në Gjermani për të takuar bashkëpunëtorin e kancelarit Olaf Scholz dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gjermania është një partnere shumë e rëndësishme e Kosovës, e cila na ka mbështetur në rrugëtimin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

    Në Zyrën e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, u takova me z. Alexander Wallau, i cili është Përgjegjës për Marrëdhënie Dypalëshe. Ndërsa, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u takova me z. Michael Reiffenstuel, i cili është Drejtor për Evropën Juglindore. Në të dyja takimet e theksova rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Angazhimi im si kryeministër i ardhshëm do të jetë i përditshëm për jetësimin e aspiratës evropiane të popullit tonë.

    Z. Wallau dhe z. Reiffenstuel i njoftova edhe për vizionin tim për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për kushtet që do t’i krijojmë për invesitorët e huaj, përfshirë investitorët gjermanë”, ka shkruar Hamza. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!