×
  • Lajme
  • Lajme / Komuniteti Politik Evropian

    Takimet e Osmanit në Budapest, në fokus siguria, heqja e masave ndaj Kosovës dhe procesi i anëtarësimit në KiE

    Reporteri
    09 Nëntor 2024 | 17:57

    Në samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pasur takime me liderë nga shtete të ndryshme. Në këto takime, Osmani ka potencuar rëndësinë e heqjes së masave për Kosovën dhe po ashtu edhe rëndësinë e përfundimit me sukses të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Këto Osmani e ka thënë edhe në një takim që kishte sot me kryeministrin e Belgjikës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin@alexanderdecroo, duke shprehur mirënjohjen time për mbështetjen e palëkundur të Belgjikës për Kosovën.

    Theksova gjithashtu rëndësinë e përfundimit me sukses të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe heqjes së masave për Kosovën si një hap i domosdoshëm përpara në rrugën tonë evropiane”, ka shkruar Osmani.

    Heqjen e masave ndaj Kosovës, presidentja Osmani e ka diskutuar edhe në takim me kryeministrin e Luksemburgut.

    “Kosova dhe Luksemburgu ndajnë përkushtimin e përbashkët për t`i forcuar marrëdhëniet dhe për t`i hapur kapitujt e rinj të bashkëpunimit. Në takim me kryeministrin Luc Frieden, theksova nevojën e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në BE, bazuar në merita”, ka shkruar Osmani.

    Paraprakisht sot, Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest.

    Osmani ka publikuar një foto nga takimi, derisa ka bërë me dije se kanë diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe rolin e kontributin e KFOR-it për paqe e siguri në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    “Diskutime të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe rolin e kontributin e KFOR-it për paqe e siguri në vendin tone”, ka shkruar Osmani.

    Osmani takon shefin e NATO-s në Budapest: Diskutime të vazhdueshme për situatën e sigurisë në Kosovë

    Osmani  në dy ditët e fundit, takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin francez, Emanuel Macron, atë të Turqisë, Recep Tayip Erdogan, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentin e Ukrainës Volodymir Zelenskiy e shumë personalitete tjera të Evropës.

    Takimi i Komunitetit Politik Evropian ka mbledhur liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti, në Budapest.

    E para e shtetit të enjten para nisjes së samitit është deklaruar për media.

    Ajo e pyetur për fitoren e Donald Trumpit, tha se beson fuqishëm që do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Evropës dhe SHBA-së edhe nën administratën e presidentit Trump.

    E para e shtetit të Kosovës është pyetur edhe lidhur me raportet Kosovë-SHBA, pas zgjedhjes së Trumpit president.

    “Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën të presidentit Trump”, u shpreh presidentja.

    Ajo tutje shtoi se nuk e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit president pasi Kosova gjithnjë ka pasur mbështetje si nga republikanët, po ashtu edhe demokratët.

    “Nuk e shoh si kërcënim. Kosova, në fakt, ka përfituar për dekada nga një mbështetje dypartiake nga Shtetet e Bashkuara. Ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet. Ne u bëmë të lirë kur demokratët ishin në pushtet… Ne kemi punuar shumë ngushtë me çdo administratë dhe besoj fuqimisht se do të vazhdojë të jetë kështu”, tha ajo. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!